Kulturë

“Eurovision 2023”, Shqipëria kualifikohet në finalen e madhe

12.05.2023 18:09

Shqipëria është kualifikuar në finalen e “Eurovision 2023”...

Pas performancës plot emocion në natën e gjysmëfinales së dytë, Albina dhe familja Kelmendi ia dolën që të çojnë Shqipërinë në finalen e madhe ku do të performojnë në gjuhën shqipe këngën “Duje”, këngë kjo që përcjellë motive tradicionale dhe pasqyron një mesazh të fortë, një këngë që prek familjen si koncept me plot energji, paqe dhe dashuri për të.
 
Familja Kelmendi përcollën emocione drithëruese në skenën e Festivalit Evropian të Këngës. Emocionet e shumta nuk mundën ta mposhtin gjatë performancës, por Albina iu dorëzua emocioneve gjatë presskonferencës. 
 
“Ne jemi shumë të lumtur, ne jemi shumë të emocionuar dhe ne jemi shumë krenarë për shqiptarët e mi dhe për shtetin tim, kështu që vetëm….”, - u shpreh përfaqësuesja e Shqipërisë në “Eurovision”, Albina Kelmendi.
 
E në pamundësi për t’u shprehur më gjatë, komunikimin me mediat e morri motra e saj, e cila tha se të performosh së bashku me familjen është ndjesi fantastike. 
 
“Ne jemi i njëjti gjak, i njëjti nacionalitet, Kosova dhe Shqipëria janë motëra dhe vëlla, me nënën e madhe Shqiptarinë. Besoj se janë të emocionuar të gjithë, ne kemi parë dashurinë dhe suportin që na kanë dhënë këto ditë. Shpresoj që t’i kemi bërë krenarë.”, - theksoi motra e Albina Kelmendit. 
 
Kualifikimi për natën finale të së shtunës në “Eurovision” u bazua këtë vit, tërësisht në votat e publikut. Shtetet tjera që arritën të kualifikoheshin janë: Qipro, Estonia, Belgjika, Austria, Lituania, Polonia, Australia, Armenia dhe Sllovenia.
 
Ndërkohë në finale do të jenë, si gjithmonë edhe Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar. Pas fitores së Ukrainës, vitin e kaluar dhe pamundësisë për të pritur ngjarjen për shkak të pushtimit nga Rusia, finalja e madhe e “Eurovision 2023” do të mbahet të shtunën më 13 maj në “M&S Bank Arena” të Liverpoolit, me fillim nga ora 21:00 me transmetim te drejtpërdrejt në programin e TVM2.
 
BELINDA KOKA ADEMI