Johanes Hahn: Evropa është e interesuar për Kosovën
Kosovës duhet t’i jepet mundësia të afrohet në familjen e madhe evropiane...

Në pranverë ka gjasa të nënshkruaj marrëveshje për stabilizim dhe asociim me Bashkimin Evropian, mirëpo kjo do të thotë angazhim më i madh i autoriteteve të vendit lidhur me respektimin e marrëveshjeve të arritura dhe përkushtim maksimal të kontrollimit të kufijve.
Këto janë vlerësimet e komisionarit të BE-së për politikë fqinjësore, Johanes Hahn, në takimet e sotme me krerët e politikës në Prishtinë. Hahn potencoi se Kosova duhet të punojë shumë që të bind qytetarët e saj se nuk mund të fitojnë azil në vendet e BE-së përmes migrimit të paligjshëm.
“Liberalizimi i vizave është një nga prioritetet më të rëndësishme, ka progres, por duhet bërë më shumë në këtë drejtim. Evropa është fuqimisht e interesuar të ketë Kosovën anëtare të BE-së dhe duhet të punojmë për këtë, por nëse jemi të përkushtuar dhe qëndrojmë së bashku, çdo gjë është e arritshme”- deklaroi komisioneri i BE për zgjerim, Johannes Hahn.
Kryeministri, Isa Mustafa, e siguroi komisionerin se qeveria e tij do të punojë fuqimisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe do të punojë në plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave.
“Liberalizimi i vizave për ne mbetet një ndër prioritetet më të larta. Tani ndodhemi në procesin përfundimtar të këtij procesi dhe mund të konstatojmë se ne kemi përmbushur gati të gjitha kushtet nga udhërrëfyesi i liberalizimit të vizave dhe në javën e ardhshme do të punojmë intensivisht në zbatimin e rekomandimeve të tjera lidhur me këtë”- tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Komisioneri Hahn nuk harroi të theksojë rëndësinë e madhe për funksionimin e dialogut me Serbinë, e cila, sipas tij, është vital dhe shkon për të ardhmen evropiane të Kosovës. Progresi i Kosovës do të përcaktohet nga progreset e arritura në dialog dhe kompromiset që do të bëhen në këtë dialog, tha Johanes Hahn sot në Kosovë. (Rexhep Qamili, TVM2)
