Botë
Shqipëri, nis me problematika të shumta procesi i votimit
14.05.2023 11:46
Pas një muaji fushatë zgjedhjet në Shqipëri nisin me dhunë.....

Kandidati i Partisë Socialiste në Kolonjë, Erion Isai, është goditur gjatë orëve të mbrëmjes së të shtunës nga një simpatizant i Partisë Demokratike pranë fshatit Qinam.
Sipas policisë të gjitha veprimet procedurale për këtë rast janë kryer në drejtimin e Prokurorisë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Policia ka arrestuar autorin, 33 vjeçarin Esmerald Kacolli për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës” si dhe nën hetim është një 34 vjeçar për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, pasi ka prerë rrugën automjetit me të cilin po udhëtonte Isai.
Edhe në Durrës është ndërprerë votimi pas një incidenti në ambientet e jashtme të një shkolle afër Spitallës.
Ka pasur një sherr ndërmjet mbështetësve të dy forcave politike në korridor dhe sekretari që përfaqëson forcën “Bashkë Fitojmë” ka marrë vulën dhe është larguar çfarë ka bërë të ndërpritej votimi për 30 minuta.
Policia ka rrethuar zonën për të monitoruar dhe parandaluar sherre të tjera.
Ka pasur probleme edhe me pajisjet elektronike që kanë shkaktuar pezullimin e procesit zgjedhor në disa njësi votimi. Përveç problemeve me pajisjet elektronike, në qytetin e Kukësit problematikë në procesin e votimit është bërë edhe mungesa e energjisë elektrike.
Problemet me pajisjet elektronike por edhe moti jo shumë favorizues me shi ka qenë shkak që pjesëmarrja në votime, në zgjedhjet e ditës së sotme, është e përgjysmuar krahasimisht me zgjedhjet parlamentare të 2021.
