SHBA, reforma për emigracionin, gjykata pengon Obamën
Një ditë përpara se qindra mijëra emigrantë të paligjshëm të nisnin aplikimet për leje pune dhe mbrojtje ligjore, zyrtarët e administratës amerikane u detyruan të shtyjnë veprimet ekzekutive mbi emigracionin për një periudhë të pacaktuar kohe, me argumentin se nuk kanë rrugë tjetër përveçse t’i binden vendimit të një gjykate federale për bllokimin e urdhrit ekzekutiv të shefit të Shtëpisë së Bardhë...

Vendimi i gjykatësit ishte favorizues për Teksasin dhe 25 shtete të tjera që sfidojnë reformën e emigracionit. Sipas gjykatësit, programet e administratës do të shtojnë barrën financiare edhe kështu të rëndë mbi shpatullat e shteteve amerikane, do të tkurrin buxhetet e tyre e do t’i hapin rrugën emigracionit të paligjshëm. Obama u zotua ta apelojë vendimin polemizues, e madje u shpreh i bindur se ka për të dalë triumfues nga beteja ligjore për mbrojtjen e asaj që e konsideron si arritjen e tij më domethënëse në politikën e brendshme.
“Ligji është në anën tonë. Historia vetë është në anën tonë. Nuk kemi pse i shkulim një nëne nga krahët fëmijën e lindur këtu, në një vend ku ajo nënë vetë mund të ketë jetuar për të paktën 10 vjet, duke parë punën e saj e duke qenë një pjesë e këtij komuniteti”- deklaroi presidenti i SHBA-ve, Barack Obama.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë pohojnë se qeveria do të vazhdojë përpjekjet për zbatimin e vendimeve ekzekutive të presidentit, por derisa situata të sqarohet, nuk do të pranohen aplikime nga emigrantët pa dokumente dhe një gjë e tillë mund të kërkojë muaj të tërë.
Obama pati deklaruar në nëntor se me urdhrin e tij po i dilte në mbrojtje nga depërtimi i rreth 5 milionë emigrantëve të paligjshëm. (Leunora Kaliqi, TVM2)
