Botë

Shqipëria voton, zgjidhen 61 kryebashkiakët e rinj

14.05.2023 14:22

Në Shqipëri prej orës 07.00 të mëngjesit, po mbahen zgjedhjet vendore, ku votohet për kryetarët e 61 bashkive...

Në Shqipëri prej orës 07.00 të mëngjesit, po mbahen zgjedhjet vendore, ku votohet për kryetarët e 61 bashkive si dhe për këshillat bashkiakë. Me pëjashtim të disa incidenteve të vogla dhe denoncimeve për fotografim vote e votim familjar, procesi duket i rregullt, ndërsa pjesëmarrja e ulët në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021.
 
Gjatë mesazhit të tij pasi ushtroi të drejtën e votës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj tha se kjo është një ditë e rëndësishme për shqiptarët.
 
“Çdo shtetas me të drejtë vote, sot ka ditën që të dëgjohet, që vota e tij të lexohet dhe fuqia e votës së tij të bëjë ndryshimin. Këto nuk janë votime për partitë politike, por për qytetarët. Duhet t’u shërbejnë atyre”, deklaroi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
 
 Mesazhe optimiste për fitore dhanë kryerët e partive kryesore politike.
 
“Besoj që janë thënë të gjitha, tani është momenti i qytetarëve të thonë fjalën e tyre. Uroj që situata e krijuar nga KQZ-ja të mos ketë ndikuar në dekurajimin e atyre që kanë shkuar të votojnë që në fillim në ato zona, ku nuk punuan aparaturat dhe që të gjithë ata që mund të jenë dekorajuar herën e parë të rikthehen, që vullneti të shprehet i plotë në të gjithë Shqipërinë.”, tha kryeministri i shqipërisë, Edi Rama.
 
“Një thirrje nga zemra që të flasin sot me votën e tyre për qeverisjen vendore. Të gjithë ata që u ftuan nga armiku i egër i votës, të rrinë në shtëpi, të mos harrojnë që ky është një nxitje një apel i madh që të marrin pjesë në votime, ai që ka frikë votë, ka frikë lirinë dhe është armik i saj. I ftoj zgjedhësit që të mos harrojnë se përsëritja e të njëjtit gabim e bën gabimin edhe më të madh, ndaj le t’u prijë mençuria e tyre, që të votojnë në interesin më të mirë të tyre, të familjes, vendit, kjo është pranvera e ndryshimit, nesër Shqipëria arkivon monizmin e shëmtuar në Shqipëri, kjo është një ditë fitore.”, tha ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
 
“Sot është dita që Shqiptarët që duhet të vijnë, sepse ky është momenti kjo është dita për të bërë një ndarje të madhe nga e shkuara, ndaj ftoj këto, çdo shqiptar të ndershëm, çdo shqiptar me shpirt të lirë çdo shqiptar që është jashtë shantazhit, korrupsionit, joshjes që sot të ushtrojë të drejtën e votën siç zemra dhe interesi ua do. Besoj që zgjedhja është e lehtë për këdo sot.”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.
 
“Unë kam vetëm një lutje për të gjithë shqiptarët: pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje! Vetë demokracia është pjesëmarrje dhe nuk ka ndryshim pa pjesëmarrje. Vota është themeli i lirisë dhe dinjitetit. Një qytetar që nuk e ushtron këtë të drejtë, nuk ka të drejtë të ankohet dhe të kërkojë llogari.”, shtoi kreu i PL-së, Ilir Meta.
 
Nga ana tjetër diplomatja e Bashkimit Europian Cristine Hohman, u bëri thirrje shqiptarëve të ushtrojnë të drejtën e votës.
 
“Dëshira dhe urimi im për ditën e sotme është që shumë njerëz të dalin dhe të hedhin votën e tyre dhe dita të vazhdojë pa probleme në mënyrë të paqme. Para 10 ditësh, OSBE ODIHR nxori raportin për gjetjet e tanishme. Le të presim ditën e nesërme kur do të kemi konferencën për shtyp dhe raportin paraprak.”, tha ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann.
 
Ndërsa ambasadorja amerimane Yuri Kim në një postim në rrjetet sociale shkruan e thotë se është thelbësore të respektohen ligjet për zgjedhjet, ku përfshihet edhe shit-blerja e votës.
 
“Shpresojmë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është thelbësore që të gjithë të respektojnë ligjet për zgjedhjet, si dhe normat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Zyrtarët e ambasadës po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare në vëzhgimin e zgjedhjeve në të gjithë vendin”, tha ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim.
 
Ndërkohë, e ashpër vijon të jetë gjuha e autoriteteve të larta greke lidhur me arrestimin e kandidatit për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri. Në një intervistë për mediat greke Mitsotakis thotë se Greqia “nuk do të tolerojë një sjellje të tillë në kurriz të pakicës kombëtare greke në Shqipëri”.
 
“Nuk do të pranoj një sjellje të tillë në kurriz të grekëve. Është e papranueshme dhe e paimagjinueshme ajo që ndodhi me Fredi Belerin. Shkova në Himarë, isha kryeministri i parë që vizitova rajonin dhe u zotova se Greqia do të mbetet gjithmonë ndihmëse e pakicës etnike greke. Këtë ia kam bërë të qartë kryeministrit shqiptar. Shqipëria ta dijë shumë mirë se nëse një politikë e tillë do të vazhdojë, do të ndikojë si në marrëdhëniet tona dypalëshe, ashtu edhe në rrugën e saj drejt BE-së. Unë nuk do të pranoj qëndrime të tilla në kurriz të pakicës, sidomos 48 orë para zgjedhjeve. Do të ketë efekte të rëndësishme në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe në rrugën e saj drejt BE-së, të cilën ne kishim deklaruar se do ta mbështesim”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.
 
LULJETA NDOKA