Komuna e Çairit, së shpejti sinjalizim në rrugët pranë shkollave

18.02.2015 16:58

Për 45 deri në 60 ditë do të zgjidhet përfundimisht çështja e sinjalizimit në rrugët “Ferid Murati” dhe “Metodia Mitevski”, mes të cilave ndodhet Shkolla Fillore “Ismail Qemali” në Çair...

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti,  është takuar sot me përfaqësuesit e shkollës, Këshillin e Prindërve, Sektorin për Komunikacion të MPB-së në Qytetin e Shkupit dhe përfaqësuesit e Këshillit të  Qytetit të Shkupit.

Të gjithë bashkë konstatuan se sinjalizimi është i domosdoshëm për të rritur sigurinë për nxënësit që mësojnë jo vetëm në Shkollën Fillore “Ismail Qemali”, por edhe në Shkollën “Vasill Gllavinov”.

“Që nesër, Sektori i Urbanizmit të Qytetit të Shkupit dhe Komuna e Çairit do të përgatisin detyrën projektuese dhe mandej ndërmarrja publike e Qytetit të Shkupit do të bëjë sinjalizimin në rrugën “Ferit Murati” dhe “Metodia Mitevski”, ku do të përfshihen pastaj edhe rrugë të tjera, siç është rruga “Xhon Kenedi” dhe të tjera. Krejt kjo në një afat, pasi ka afate ligjore prej 45 ditë deri në 60 ditë që të përfundojë sinjalizimi horizontal dhe vertikal tek Shkolla “Ismail Qemali””- deklaroi kryetari i Çairit, Izet Mexhiti.

Drejtori i Shkollës Fillore “Ismail Qemali”, Kadri Agushi, është i kënaqur që më në fund kjo çështje po zgjidhet, pasi deri tani ka dërguar një sërë kërkesash në adresë të Qytetit të Shkupit.

“Besoj se shumë shpejt rruga “Ferit Murati”, “Brigada e dytë maqedonase”, “Petar Içko” dhe rruga “Metodi Mitevski” shumë shpejt do të bëhen me sinjalizime horizontale dhe vertikale, e cila do të paraqesë një mbrojte shumë të mirë për nxënësit”- tha drejtori i ShF “Ismail Qemali”, Kadri Agushi.

Masat për sinjalizimin e këtyre rrugëve merren pas ngritjes së kësaj çështje në TVM2, se rrugët e pasinjalizuara pranë shkollave jo vetëm në Komunën e Çairit, por edhe në komunat e tjera paraqesin rrezik për sigurinë e  nxënësve, pasi nuk kanë munguar edhe rastet me aksidente fatale për jetën e fëmijëve, prandaj do të ishte mirë që masa të këtilla të merren edhe nga komunat e tjera. (Gyltene Sinani, TVM2)