Futboll
Shabani nuk ia mbyll derën Kosovës
15.05.2023 09:39
Futbollisti Eniss Shabani realizoi një ëndërr të madhe të shtunën...

Mesfushori i talentuar debutoi me fanellën e Mainzit në Bundesligën e Gjermanisë.
“Ëndrra e fëmijërisë u bë realitet”, ka thënë të dielën për Kohën 19-vjeçari.
“Është e vështirë të përshkruhet me fjalë se si ndihesh në atë moment, por padyshim ishte ndjenjë e bukur”.
Shabani luajti nëntë minuta në ndeshjen që Mainzi e humbi nga Eintracht Frankfurti me rezultatin 3:0. Kosovari shpreson të mos jetë paraqitja e vetme ajo e xhiros së 32-të të elitës së futbollit gjerman.
Në maj të vitit të kaluar, Shabani nënshkroi kontratën e parë profesionale me Mainzin. Atëbotë ishte 18-vjeçar. Pjesë e skuadrës gjermane është prej janarit të vitit 2015, ndërsa kontrata e tij skadon në vitin 2025.Realizimi i ëndrrës së fëmijërisë sigurisht që është një ndjenjë e mrekullueshme.
Shndërrimi i hobit tuaj në profesion është shumë gjë e këndshme. Por, ka gjithmonë vend për përparim, kështu që nuk kam kohë për të pushuar. Tani kam kushte perfekte për t’u zhvilluar edhe më mirë dhe kjo ka rëndësi sidomos në planin afatgjatë”, ka thënë Shabani. Ai mori lëvdata pas ndeshjes së parë në Bundesligë.
“Trajneri im nuk tha shumë gjëra, por shokët e skuadrës më uruan gjitha të mirat dhe më thanë se meritova rastin. Kam dalë në fushë dhe thjesht e kam shijuar momentin”, tregon Shabani.
