Maqedoni
BDI: ShBA me porosi ndaj VMRO-DPMNE-së, votoni ndryshimet kushtetuese
15.05.2023 11:43
Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit...

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe thirrja e përfaqësuesit special të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ndaj VMRO-DPMNE-së dhe të Majtës për të përkrahur rrugën evropiane të vendit dhe për të votuar ndryshimet kushtetuese është sinjal i qartë paralajmërues që nuk duhet të hasë në vesh të shurdhër.
Nëse deri dje thirrjet dhe kërkesat tona për konstruktivitet janë cilësuar si subjektive dhe janë shpërfillur vazhdimisht nga ana e opozitës, konfirmim për racionalitetin e tyre është mesazhi i drejtpërdrejt i ShBA-ve që t’i jepet fund bllokadës dhe pengmarrjes së të ardhmes evropiane të vendit. Vlerësojmë se ka ardhur koha për reflektim nga ana e opozitës, jo vetëm në aspektin deklarativ, të dëshmojë konstruktivitet në çastet vendimtare kur duhet të përshpejtojmë hapin drejt Evropës.”, thuhet në kumtesën e BDI-së. BDI është e bindur se tek opozita maqedonase ka frymë evropiane që do të triumfojë mbi konfuzionin dhe protagonizmin subjektiv.
Ndryshe, BDI vlerëson se armiku më i madh i vendit është stagnimi dhe se të gjithë duhet të marrin mbi supe përgjegjësi duke menduar mbi të gjitha ardhmërinë e fëmijëve tanë.
