Botë
Turqi, më 28 maj mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve
15.05.2023 13:11
Kandidatët presidencialë të Turqisë nuk e kaluan pragun prej 50 për qind...

Kandidatët presidencialë të Turqisë nuk e kaluan pragun prej 50 për qind të nevojshëm për të shmangur balotazhin, i cili do të zhvillohet më 28 maj. Erdogan dhe Kilicdaroglu shkojnë në raundin e dytë.
Presidenti aktual udhëhoqi zgjedhjet e së dielës, por nuk fitoi një shumicë absolute për të zgjatur sundimin e tij 20-vjeçar. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Anadolu”, me afro 97 për qind të kutive të numëruara, Erdogan kryeson me 49.39 për qind të votave dhe Kilicdaroglu me 44.92 për qind.
“Falënderoj të gjithë qytetarët që dolën për të votuar, vëllezërit dhe motrat që na votuan. Sondazhet kanë treguar se vendi ynë është fitues. Kombi ynë. Turqia ka dëshmuar edhe një herë se është ndër demokracitë kryesore në botë.”, tha presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan.
Kundërshtari i tij u premtoi mbështetësve të tij fitoren në raundin e dytë dhe akuzoi partinë e Erdoganit për ndërhyrje në numërimin dhe raportimin e rezultateve. Kthimi në një rrugë më laike, demokratike, përballja me krizën ekonomike dhe marrëdhëniet me Rusinë, Lindjen e Mesme dhe Perëndimin do të jenë ndër sfidat kryesore të liderit të ri.
