Nesër, MASH dhe Plenumet mblidhen në UKIM
Grupet punuese të cilat përfshijnë ministrin e Arsimit, Abdylaqim Ademin, Plenumin e Profesorëve dhe Studentëve do të takohen nesër në Rektoratin e UKIM-it, për të filluar negociatat rreth propozimeve për ndryshimin e Ligjit të Arsimit Sipëror...

Ministri Ademi pranoi propozimin e studentëve që bisedimet të fillojnë në “zonën akademike”.
Por, edhe pse palët janë marrë vesh për vendin e negociatave, studentët vazhdojnë të zgjerojnë “frontin e rezistencës”. Ata okupuan edhe Fakultetin e Arkitekturës, i cili u shpall si zonë e katërt autonome. Okupimi sot u shoqërua me një koncert.
“Një ndër parimet kryesore të qëndrimeve tona si studentë që ligji të tërhiqet, por në insistim që ligji të mbetet kërkojmë ndryshime pozitive për studimet tona, që do të na sjellin dobi, por jo të kundërtën me ligjin për të cilin po insistohet”- deklaroi studenti, Arben Hajrullahu.
“Fillimisht cenohet autonomia e universitetit dhe na kushtëzojnë, sepse nëse ne nuk arrijmë provimet t’i kalojmë vitin e dytë, nuk do mund të vazhdojmë më tej, që është shumë nënçmuese për universitetin, profesorët, studentët dhe po ashtu ndaj nxënësve”- tha studenti, Muhamed Duraku.
Ndërkohë, eksperti i çështjeve arsimore, Xheladin Murati, thotë se dialogu duhet të vazhdojë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për palët.
“Unë e përshëndes takimin mes ministrit dhe studentëve për të zgjidhur këtë çështje. Por, a do të arrihet marrëveshja, dialogu është i pashmangshëm në të gjitha rastet dhe dialogu duhet të vazhdojë, por me një takim nuk zgjidhen problemet. Me siguri se do të ketë opsione, alternativa, të dhëna të cilat të dy palët duhet t’i analizojnë dhe të marrin qëndrim të përbashkët”- u shpreh eksperti i çështjeve arsimore, Xheladin Murati.
Në ditën e tetë të okupimit të fakulteteve studentët kërkojnë tërheqjen e provimit shtetëror dhe janë decid se në takimin e nesërm do të kërkojnë tërheqjen e tërësishme të Ligjit të Arsimit Sipëror. (Flutura Latifi, TVM2)
