Maqedoni

Ndërtimi i korridoreve, Kovaçevski: Ligjet e përshpejtojnë ndërtimin

15.05.2023 14:09

Ndërtimi i korridorit 8 dhe 10-D është punë e kryer dhe askush nuk mund ta ndalë këtë projekt madhor për vendin tonë...

Ndërtimi i korridorit 8 dhe 10-D është punë e kryer dhe askush nuk mund ta ndalë këtë projekt madhor për vendin tonë, kështu është shprehur kryeministri, Dimitar Kovaçevski, gjatë takimit me gazetarët. Kovaçevski potencoi se kjo Qeveri me ndërtimin e këtyre dy korridoreve përveç që po tregon një mënyrë tjetër të hartimit dhe zbatimit të projekteve të rëndësishme kapitale në vend, ajo po shkurton edhe koston financiare. Ky i fundit, si shembull të keq e përmendi ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, e cila u projektua në 400 milion, ndërsa tani ka kaluar shumën e 600 milionëve.
 
“As VMRO-DPMNE-ja e as e Majta, nuk do të mund ta ndalin ndërtimin e korridorit 8 dhe 10-D, që është projekti më madhor që nga pavarësia e vendit. Pikërisht pse kemi qenë të bindur se këto dy korridore duhet të ndërtohen, kemi vendosur t’i kalojmë në Kuvend përmes flamurit evropian, sepse kemi vlerësuar se kjo praktikë është pikërisht e sjellë nga BE dhe ne me këto korridore e lidhim vendin tonë me BE-në. Ne me këtë po tregojmë se jemi të ndryshëm nga ata të cilët 10 vite kanë harxhuar mjete të qytetarëve dhe nuk kanë qenë të gatshëm ta realizojnë autostradën Kërçovë-Ohër, ku fillimisht e projektuan në 400 milion, ndërsa deri më tani ka kaluar 600 milion e fundi nuk i shihet.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Kovaçevski, po ashtu pohoi se pikërisht në këtë autostradë do të punojnë punëtor nga vendi ynë dhe përfitimet do të mund t’i sheh çdo qytetar. Kovaçevski pohoi se është i habitur se si VMRO-DPMNE-ja po fshihet pas bllokadës që po e bën e Majta, sepse amendamentet, sipas tij i ka dorëzuar e Majta. Ndërsa, në brifing me gazetarët ishte edhe ministri i transportit, Blagoja Boçvarski, i cili akoma pa përfunduar eventi u nis drejt Malit të Zi, ku korridoret e vendit do të dokumentohen në hartën e korridoreve kryesore të Ballkanit Perëndimor.
 
“Është një projekt i besueshëm dhe transparent, i mbështetur me ligj të veçantë me të cilin autostradat duhet të ndërtohen më shpejt dhe më lirë. Deri më tani janë planifikuar 1,3 miliardë euro, por nuk mund të dimë sa do të na kushtojë deri në fund. Nesër në Mal të Zi do të nënshkruaj aneks marrëveshjen me Bashkimin Evropian me të cilën korridori 8 do të futet në rrjetin e korridoreve kryesore të Bashkimit Evropian.”, - theksoi ministri i transportit, Bllagoja Boçvarski. 
 
Me këtë lëvizje, korridori 8 duhet të jetë i dukshëm për rrjetet trans-evropiane dhe në këtë mënyrë të zbusë pozicionin e BE-së, ku për momentin ekziston një mendim i rezervuar nëse ndryshimet e diskutueshme ligjore të destinuara për ndërtimin, duhet të miratohen pas një shkurtimi të procedurës. Siç informojnë nga Qeveria për këtë problematikë, nuk është biseduar gjatë vizës së fundit në ShBA.
 
FITIM KRYEZIU