Maqedoni

Pakoja e ligjeve për ndërtimin e korridoreve, debat i ashpër në plenare dhe komisione

15.05.2023 15:53

Ligji për Marrëdhënie të Punës që ka të bëjë me ndërtimin e korridoreve 8 dhe10-D...

Ligji për Marrëdhënie të Punës që ka të bëjë me ndërtimin e korridoreve 8 dhe10-D, po diskutohet në seancë plenare të Kuvendit. Opozita nuk pajtohet me 60 orë punë brenda javës, ndërsa pushteti shpjegon se në këtë mënyrë do të kursehet. Vazhdojnë akuzat dhe arsyetimet se pse marrëveshja nuk është transparente.
 
“Punëtorët e këtij projekti do të mund të punojnë mesatarisht 60 orë në jave, ndërsa ndërtimtaria nuk ka filluar nga ky projekt, ka qenë edhe më herët. Përse e ndryshoni ligjin që të mund t’i keqpërdorni punëtorët?”, - deklaroi Jovan Jolevski nga VMRO-DPMNE-ja.
 
“Ndërtimi i korridoreve është shans historike që kjo shumicë parlamentare do ta bëjë. Ndërtimi i këtyre korridoreve aspak nuk do të nënkupton eksploatim të punëtorëve. Bëhet fjalë për ligj që do ta rregullojë punën jashtë orarit që gjithmonë ka ekzistuar, sidomos në ndërtimtari.”. - theksoi Martin Kostovski nga LSDM-ja.
 
“Me plot vetëdije, ne që kemi nënshkruar në ato ligje e dimë se për çka. Nënshkruajmë për diçka e cila do të ndërtohet, pa mos u marrë me paragjykime dhe forma të fallit se çka do të ndodhë në të ardhmen. Kush do që do të gabojë në të ardhmen do t’i ketë pasojat. Të akuzoni për nënshkrime në këto ligje, ju që nënshkruat Ligj për amnestimin e vrasësve që hynë në Kuvend të vrasin deputet. Tani parashtrohet pyetja, ju apo ne nënshkruam gabim.?!”, - u  shpreh Bajram Kadrija nga BDI-ja.
 
Paralelisht u zhvillua debat në Komisionin për Çështje Evropiane ku VMRO-DPMNE, paraqiti një shkresë nga Oda e inxhinierëve dhe arkitektëve, të cilët sipas tyre nuk mbështesin këtë projekt.
 
“Arkitektë dhe inxhinierë qartë ju kanë treguar se kjo nuk guxon të ndodhë. Atë e bëni pasi që me projekt urbanistik do t’i anashkaloni shumë nga procedurat të cilat vijojnë për ndërtimin e një projekti serioz që duhet të realizohet. Dallimi mes dokumenteve të planifikimit dhe projektit urbanistik është se me projektin urbanistik nuk do të ketë anketë publike dhe qasje tek dokumentacionet.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mirço Axhiovski.
 
Zëvendësministri i transportit dhe lidhjeve, Bekim Rexhepi, hodhi poshtë akuzat e VMRO-DPMNE-së. Sipas tij, në këtë rast vetëm se janë shkurtuar procedura për projekt strategjik dhe se për përpilimin e tij janë konsultuar ekspert.
 
“Asgjë nuk është e vërtet nga kjo që thatë. Ne vendosëm një model të ri në kuptimin e ndërtimit të projekteve strategjike të shtetit, bëhet fjalë vetëm për thjeshtëzim, respektivisht shkurtim të afateve dhe dokumentacionit, për projekte strategjike për shtetit. Ju lus që në mënyrë konstruktive dhe të drejtë të bëhet debati.”, - theksoi zëvendësministri për transport dhe lidhje, Bekim Rexhepi. 
 
Pesë propozim-ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me ndërtimin e korridoreve janë me flamur evropian dhe që do të duhet të miratohen me procedurë të shkurtuar.
 
FLORIJE KAMBERI