Vizita e Johanes Han, analistët skeptikë që situata do të zgjidhet shpejt

18.02.2015 17:59

Vizita e komisionerit për zgjerim të BE-së, Johanes Han, në Shkup, nga analistët politik të vendit shikohet si shpresëdhënëse, por që nuk do të sjellë rezultate konkrete...

Analisti politik, Mersel Bilalli, thotë se propozimi i Han që eurodeputetë të ushtrojnë presion në kthimin e opozitës në kuvend, sikurse bënë me Shqipërinë, nuk mund të jetë zgjidhje definitive, pasi që Maqedonia ka probleme më të mëdha, siç janë aferat e përgjimeve dhe “Puç”.

Sipas analizave të Bilallit, për tejkalimin e situatës fjalën e fundit Brukseli do ta thotë në koordinim me Uashingtonin.

“Zgjidhja me siguri do të ishte qeveri e ekspertëve apo qeveri teknokrate, por jo edhe teknike dhe jo qeveri e zgjeruar, sepse qeveria teknike nuk ka kapacitet funksional. Qeveri e zgjeruar në këtë situatë të polarizuar politike nuk është e mundshme të funksionojë dhe ajo është fundja e vetmja zgjidhje e mundshme në momentin e dhënë”- deklaroi analisti politik, Mersel Bilalli.

Skeptik për një zgjidhje të shpejtë të situatës shprehet edhe analisti politik, Alajdin Demiri. Skepticizmin e tij ai e mbështet në takimet e ndara të Hanit me Gruevskin dhe Zaevin në rezidencën e BE-së dhe në selinë e LSDM-së. Me këtë formë të komunikimit, Han nuk ka favorizuar asnjë palë, thotë Demiri, por dëshmohet se ai nuk ka arritur të ulë të dyja palët në një tavolinë.

“Zaevi do të vazhdojë me shpalosjen e të gjithë asaj që ai mendon se ka për të nxirë ende më tej këtë qeveri. Heshtja e VMRO-së, dalja në skenë e anonimusëve tregon se VMRO-ja është duke u përgatitur për kundërsulm”- tha analisti politik, Alajdin Demiri.

Analistët kritikojnë edhe heshtjen e liderëve politik, e në veçanti të kryeministrit, Nikolla Gruveski, mbi takimin. Gruevski, dje pas takimit më shumë se dy orë me Hanin përsëriti disa herë se ata kanë shkëmbyer mendime mbi aferën “Puç” dhe “bombat” e Zaevit, por nuk zbuloi ndonjë propozim konkret.

Edhe Zaevi mbeti i barikaduar, thonë analistët. Në vend të deklarimit të tij publik, që është një obligim politik dhe shtetëror i tij, u zgjodh që të dilet me një komunikatë për media, në të cilën thuhej se Zaev zyrtarit evropian i ka bërë me dije se nuk lëviz nga pozicionet e tij dhe do të vazhdojë me shpalosjen e “bombave” deri në fund, me qëllim të normalizimit të shtetit. (Meral Ismaili, TVM2)