Botë
Shqipëri, vazhdon numërimi i votave, socialistët drejt një fitoreje të thellë
15.05.2023 17:05
Partia Socialiste në pushtet ka marrë deri më tani pjesën dërrmuese të bashkive...

Partia Socialiste në pushtet ka marrë deri më tani pjesën dërrmuese të bashkive, duke sjellë surpriza edhe në bastione të djathta. I tillë është rasti i Shkodrës, që historikisht është qeverisur nga e djathta, por kësaj here është fituar nga kandidati socialist, Benet Beci.
Edhe në bashkitë e mëdha Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë e me radhë prin dukshëm Partia Socialiste, ndërsa opozita ka ftuar vetëm disa bashki të vogla. Përmbysje solli PD-ja në Himarë, edhe pse me kandidatin fitues Fredi Beleri në burg.
Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se pretendon të marrë mbi 50 bashki dhe në fakt parashikimi i tij ka dalë, pasi duket sikur Shqipëria është veshur tashmë rozë, ngjyra simbol e socialistëve. Në shumë bashki PS-ja po feston fitoren dërrmuese, ndërsa fitorja u shpall mbrëmë në 3 bashki, ku u votua elektronikisht.
Rezultati i thellë në favor të socialistëve, duket se është diktuar nga përçarja e opozitës. Për përfaqësuesin e koalicionit “Bashkë fitojmë”, Sali Berisha, kjo ishte një farsë elektorale e orkestruar nga regjimi i Edi Ramës.
“Blerjes së votave dhe terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë. Kjo është një ditë e vështirë, e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptar. Është një moment agonie për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe këtë farsë elektorale e karakterizuar nga alfa dhe omega të krimit elektoral dhe ordiner. Jam këtu për të bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve të opozitës në komisionet e numërimit të vazhdojnë detyrën me përkushtim pasi është në parimin dhe qëllimin tinë të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë. Dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisioneri për faktin që duhet me çdo kusht që duhet të ndryshojnë rezultatin siç kanë bërë në shumë bashki të vendit. Shpreh solidaritetin me komisionerin Ismail Ismaili dhe të gjithë që janë në të njëjtat kushte.”- tha Berisha.
Ndërkaq, kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, e cilësoi procesin më të mirë se në zgjedhjet e tjera dhe tha se numërimi pritet të përfundojë deri në mesnatë.
“Në vlerësimin tim, procesi i numërimit të votave është duke shkuar shumë mirë. Pse jo dhe më mirë se në zgjedhjet e vitit 2021. Kemi thuajse aspak incidente të raportuara, vetëm një rast në Kavajë.”, tha kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Incidentet në këto zgjedhje kanë qenë sporadike dhe jo serioze, ndërsa pjesëmarrja ka qenë më e ulët se kurrë më parë, pasi kutive të votimit iu drejtuan 37 për qind e qytetarëve. Të drejtën e votës nuk mundën ta ushtronin emigrantët, pasi ende nuk është mundësuar vota e Diasporës, ku jeton gjysma e shqiptarëve.
LULJETA NDOKA
