Botë

Bruksel, kryenegociatorët diskutojnë zbatimin

15.05.2023 17:50

Ka përfunduar takimi i radhës në nivel të negociatorëve në Bruksel...

Ka përfunduar takimi i radhës në nivel të negociatorëve në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak.
 
Nuk ka ndonjë deklarim nga palët nëse është arritur ndonjë progres në raundin e ri të dialogut, por në fokus pritet të ketë qenë zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.
 
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, thotë se raportet e Serbisë me Kosovën si dhe me Moskën, janë çështjet kyçe për të ardhmen e Serbisë dhe se është koha që Serbia të vendosë se nga cila anë do të shkoj, me Perëndimin apo me Rusinë.
 
“Koha e qëndrimit në dy karrige, ka marrë fund.”, tha Von Cramon për gazetën britanike “The Guardian”.
 
Ndërkaq, emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se do të duhet ende kohë që Kosova dhe Serbia të bien dakord për çështjen e Asociacionit, mirëpo, sipas tij, përpilimi i aneksit për zbatimin e marrëveshjes është hap i rëndësishëm dhe nëse palët vërtetë duan zgjidhje, atëherë, siç thotë ai, mund të arrihet shumë në këtë proces.
 
Ndryshe në takimin e 2 majit Vuçiq-Kurti, në Bruksel, u miratua një deklaratë për personat e zhdukur, por jo edhe ajo për Asociacionin.