Botë
Dialogu Kosovë-Serbi, pa rezultat, ngecje tek asociacioni
16.05.2023 11:17
U diskutuan një sërë temash, por nuk pati asnjë rezultat për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës...

U diskutuan një sërë temash, por nuk pati asnjë rezultat për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë si dhe Aneksit të saj. Ky ishte epilogu i një takimi të gjatë më 15 maj të zhvilluar në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në marrëveshjen e arritur në Ohër, thuhet qartë se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka gatishmëri nga BE-ja që t’i ikë një dokumenti që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publikuar në ueb-faqen e tyre.”, tha kryenegociatori kosovar Besnik Bislimi, pas përfundimit të takimit disa orësh në Bruksel.
Kurse, për palën serbe, tema e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është prioritet, ndonëse Prishtina zyrtare, nuk e sheh si të tillë. Për këtë temë, sipas kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, nuk është e lehtë të bisedohet me Prishtinën.
“Kur duhej të bisedonim për çështjet e rëndësishme, siç është zbatimi i mëtejshëm i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështja e të pagjeturve, gjegjësisht se çfarë dhe si të bëhet më tutje pas Deklaratës për personat e zhdukur, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç është liria e lëvizjes, për çështjet që kanë të bëjnë me vetë jetën e serbëve në Kosovë, për këto, z. Bislimi nuk donte të jepte kurrfarë përgjigjesh konkrete”, tha Petar Petkoviq duke u ankuar për homologun e tij kosovar.
Me gjithë mospajtimet, Bashkimi Evropian, sipas ndërmjetësit Lajçak, pret që pas takimit të ditës së djeshme Bislimi-Petkoviq, të ketë edhe takime të grupeve punuese dhe të ekspertëve, por edhe të komisionit të përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
