Korridori 8, pjesë e hartës së korridoreve të Ballkanit Perëndimor

16.05.2023 14:45

Korridori 8 bëhet pjesë e hartës së korridoreve kryesore të Ballkanit Perëndimor....

Korridori 8 bëhet pjesë e hartës së korridoreve kryesore të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të zgjerimit të rrjeteve transevropiane të transportit të BE-së.

Kjo vjen pasi BE-ja ka pranuar kërkesën e Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Italisë dhe Shqipërisë, që korridori 8 të hyjë në rrjetin e korridoreve kryesore në rajon dhe në Evropë.

Marrëveshja mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për hartat e rrjetit të transportit transevropian u nënshkrua në kuadër  të  konferencës së ministrave të vendeve  të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Mal të Zi.

“Prej këtu mbetet obligimi jonë të vazhdojmë me përgjegjësitë tona në pjesën e ndërtimit dhe rindërtimit të korridoreve rrugore dhe hekurudhore në këtë pjesë dhe t’i sjellim ato në nivele moderne. Për mua dhe për Maqedoninë e Veriut ky është një vendim strategjik i  BE-së me çka vendi  ynë veç më është i pozicionuar si një udhëkryq në rajon i  dy korridoreve kryesore evropiane, si korridori 8 dhe 10.”, - deklaroi ministri i transportit dhe lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.

Boçvarski i porositi të gjithë ata të cilët janë të përfshirë në këtë projekt që të punojnë sa më parë të realizohet.

“Prej këtu dëshiroj t’i ftoj të gjitha institucionet në shtet, por edhe në të gjithë rajonin që të punojnë me pjesën e tyre të cilën e kanë për obligim dhe detyrim dhe sa me shpejtë këtë infrastrukturë ta sjellim në nivel të rrugëve, hekurudhave  moderne dhe të sigurta me çka infrastrukturën tonë do ta ngremë në nivel të infrastrukturës evropiane.”, - theksoi ministri i transportit dhe lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.

Qëllimi i zhvillimit të rrjeteve të transportit transevropian është sigurimi i transportit të qëndrueshëm dhe efikases në të gjithë unionin, si dhe forcimi  unitetit social, ekonomik dhe territorial.

Ndërsa, përfshirja e korridorit 8 në rrjetet transevropiane është një nga argumentet e qeverisë për shënimin me flamur evropian të ndryshimeve ligjore për korridoret 8 dhe 10-D, krahas pretendimit se ndryshimet do të mundësojnë ekzekutim më të shpejtë dhe më të lirë. (Gazmend Kurtishi, TVM2)