Maqedoni

Kuvend, vazhdon diskutimi për ligjet e korridoreve

16.05.2023 15:04

Ka vazhduar diskutimi në Komisionin për çështje evropiane rreth propozim-ndryshimeve të Ligjit...

Ka vazhduar diskutimi në Komisionin për çështje evropiane rreth propozim-ndryshimeve të Ligjit për urbanizëm e që ka të bëjë me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D. VMRO-DPMNE akuzon se sjellja e këtyre ligjeve që favorizojnë një marrëveshje të fshehur,do ta sjellin vendin në një pasiguri financiare. Po ashtu, akuzojnë se investimet po realizohen vetëm në pjesën perëndimore të vendit, duke e lënë anash pjesën lindore.
 
“Zhvillim të shpejtë ekonomik? A duhet vetëm në pjesën perëndimore të vendit të kemi zhvillim të shpejtë ekonomik, në lindje a nuk duhet të ketë zhvillim ekonomik të shpejtë? Në lindje a nuk duhet të ndërtohen autostrada, ata a nuk paguajnë tatim, ata a janë të harruar nga Zoti? Nuk po bëni asgjë, vetëm se po legjitimoni krimin dhe kjo nuk do të ndihmojë në zhvillimin e vendit.”, - u shpreh Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.
 
Partitë në pushtet akuzojnë se VMRO-DPMNE-në se gjithmonë kur duhet të sillen vendime kyçe për të mirën e qytetarëve, bëjnë obstruksione në mënyra të ndryshme, duke u fshehur pas popullit.
 
“E gjithë puna është transparente. Ligji miratohet në Kuvend, është themeluar Komiteti Drejtues. Negociatat mes kompanisë ishin transparente. Nuk janë projekte tek të cilat në mëngjes diskutohet me përqindje se sa duhet të përfitohet. Mos e helmoni popullin me informata të tilla.”, - deklaroi zëvendësministri i transportit dhe lidhjeve, Bekim Rexhepi.
 
“Nuk frikësohemi nga përgjegjësia, asnjëherë nuk jemi frikësuar dhe këtë e kemi dëshmuar. Nëse dikush bën vepër penale në cilin do projekt, jo vetëm këtu do të përgjigjet. Mos u fshihni pas asaj se është për të mirën e qytetarëve, ju lutem mos e ndani edhe më shumë këtë popull, çfarë janë ato deklarata për autostradën se nëse Maqedonia Lindore meriton autostradë. Juve nuk ju përshtatet e vërteta, ju dëshironi të flisni për shtet të robëruar,të ndarë në të gjitha bazat siç e bënit.”, - theksoi Snezhana Kalevska Mançeva nga LSDM. 
 
Përderisa nga VMRO-DPMNE vazhdojnë të akuzojnë se nuk po merren parasysh thirrjet e euroambasadorit për keqpërdorim të flamurit të BE-së, kundërshton deputetja e BDI-së, Arta Bilalli.
 
“Do të ishte më mirë sikur t’i shihni porositë të cilat ju vazhdimisht i merrni si subjekt politik edhe nga Gir, por edhe nga ambasadorë të tjerë për çështje të rëndësishme për vendin dhe të reflektoni edhe ju me porositë dhe jo vetëm të kapeni për një deklaratë të vetme të cilën ai e ka bërë publikisht,por në të njëjtën kohë ka bërë edhe 100 të tjera drejtuar subjektit tuaj politik.”, - u shpreh Arta Bilalli nga BDI.
 
Për VMRO-DPMNE-në, kushdo që kërkon, ndryshime të Kushtetutës, përgjigja është se nuk do të ketë.
 
“Jeni kapur për Kushtetutën. Nuk ka ndryshime kushtetuese, çfarë t’ju themi më shumë, nuk ka ndryshime të Kushtetutës në këtë mandat. Nuk kemi mandate ta bëjmë atë dhe nuk do ta bëjmë, kush do le të vijë, nuk do të ketë ndryshim të Kushtetutës. Kaq me këtë çështje, është mbyllur.”, - theksoi Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.
 
Pesë propozim-ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me ndërtimin e korridoreve janë me flamur evropian dhe që do të duhet të miratohen me procedurë të shkurtuar.
 
FLORIJE KAMBERI