Shqipëri, partia e Ramës fiton 54 komuna
Shqipëria është veshur ngjyrë rozë....

Shqipëria është veshur ngjyrë rozë, simbol i selisë së socialistëve, duke marrë 54 bashki, ndërsa opozita pësoi disfatë të thellë, duke marrë vetëm 7 të tilla. Në daljen e parë publike pas zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama veçoi rastin e Shkodrës, një bastion demokrat prej 30 vitesh, që e morën socialistët.
“Në Shkodër ne mund të bëjmë një histori të re, fitorja atje është një barrë e madhe për mua dhe për ne, është zona më e bekuar e Shqipërisë, pse jo edhe në rajon. Por, është bashkia më e prapambetur e Shqipërisë. Do të bëjmë edhe më shumë se çfarë kemi thënë. Mund të kthehet në një mosbesim të madh shumë shpejt, nëse nuk përmbushim pritshmëritë. Nuk kemi të dhëna të detajuara për të lexuar të gjithë elementët. Këto të gjitha janë gurë të një mozaiku shumë të madh, e kemi marrë Shkodrën, si përgjegjësi që na e kanë hedhur si sfidë “alla shkodrane”. Nuk i kanë bërë si gjirokastritet, na kanë hedhur një top që duhet të dimë ta mbajmë.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri Rama i ka dhënë përgjigje edhe akuzave të opozitës se ka orkestruar arrestimin e kandidatit të opozitës në Himarë, Fredi Beleri, i cili rezultoi fitues me një rezultat të ngushtë më 14 maj.
“Ato janë zhvilluar me qetësi të plotë, është votuar pa pengesë, pa incident. Aty ka fituar me një grusht votash, kandidati kundërshtar me qeverinë. Dhe kjo hedh poshtë totalisht çdo lloj argumenti të sforcuar se aty është bërë një përpjekje për të marrë me metoda ekstra ligjore apo elektorale nga ana jonë. Një fitore që s’ka të bëjë me masën e dhënë nga gjykata për kandidatin në fjalë. Unë besoj se duhet të mjaftoj ky argument për të mos u ngatërruar gjërat. Akuza e ngritur s’është nga qeveria, ju e dini mirë sesa e kontrollojmë ne dhe sesa dëshirojmë ne që ta kontrollojmë drejtësinë. Nëse unë si kryeministër se bëj kurrë të ngre pikëpyetje para drejtësisë, këtë nuk e lejoj ta bëjë askush tjetër.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
I ashpër kryeministri Rama ishte me KQZ-në, që sipas tij dështoi në mënyrë spektakolare me identifikimin elektronik të zgjedhësve në një numër të konsiderueshëm qendrash votimi. (Luljeta Ndoka, TVM2)
