Botë
DASh, raport për lirinë fetare në botë
16.05.2023 18:28
Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin vjetor për gjendjen e lirisë fetare në botë gjatë vitit 2022...

Ndërsa, në pjesën për Maqedoninë e Veriut thuhet se megjithëse kuadri kushtetues dhe ligjor i vendit garanton barazi përpara ligjit për të gjithë individët, pavarësisht besimeve të tyre fetare, pesë grupe fetare të krishtera, myslimane dhe hebraike përcaktohen si përfitues automatikisht nga përjashtimi për taksat dhe detyrime të tjera.
Një grup pune i krijuar nga qeveria maqedonase në vitin 2021 vazhdoi të shqyrtojë amendamente ligjore për t’u mundësuar kishave dhe xhamive individuale marrjen e statusit si entitete ligjore. Qeveria maqedonase dhe Komuniteti i Bektashinjve të Tetovës vazhduan të kenë dallime për sa i përket regjistrimit të këtij grupi fetar.
Po ashtu, në raport thuhet se grupet e krishtera dhe myslimane thonë se procesi i rikthimit të pronave vazhdon të jetë i ngadaltë dhe jo i plotë. Ambasada amerikane vazhdon të theksojë rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe mban kontakte të rregullta me përfaqësuesit e qeverisë dhe drejtuesit e komuniteteve fetare për të diskutuar çështjet e lirisë së besimit, përfshirë edhe perceptimin për një favorizim nga qeveria maqedonase të disa grupeve të caktuara fetare apo mënyrën e trajtimit e grupeve më të vogla fetare nga komunitetet kryesore në vend.
Në parathënien e raportit, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, vë në dukje se ndërsa vazhdojnë kufizime domethënëse nga qeveritë në mbarë botën ndaj praktikave fetare, njerëzit vazhdojnë të emigrojnë drejt Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera demokratike në kërkim të lirisë së besimit.
