Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Xhaferi njofton PE-në për situatën politike
16.05.2023 20:40
Ndryshimet kushtetuese të domosdoshme për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE...

Ndryshimet kushtetuese të domosdoshme për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE janë diskutuar në takimin e Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi me nënkryetarin e Parlamentit Evropian Rajner Vilant dhe me eurodeputetin Sven Simon, të dy anëtar të Komitetit të Çështjeve Kushtetuese të PE-së.
“Kryetari Xhaferi informoi bashkëbiseduesit për zhvillimin e procesit të skriningut dhe për domosdoshmërinë e bërjes së ndryshimeve kushtetuese për zhvillimin e mëtejshëm të procesit, me mbajtjen e konferencës së dytë ndër-qeveritare me Bashkimin Evropian, e cila konkretisht do të ishte hapje e negociatave për anëtarësim në familjen evropiane.” – thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Duke folur për rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese Xhaferi ka sqaruar situatën aktuale politike në vend në raport me konsensusin e domosdoshëm për bërjen e ndryshimeve të duhura.
“Është koha e fundit që të gjitha partitë politike të cilat në programet e veta janë përcaktuar për eurointegrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, të bëjnë hapin e duhur për realizimin e këtij përcaktimi strategjik.” – ka thënë Xhaferi.
Në drejtim të përgatitjes për ndryshimet kushtetuese, Xhaferi ka informuar nënkryetarin e Parlamentit Evropian Rajner Vilant dhe eurodeputetin Sven Simon se në Kuvend është votuar Rezoluta me të cilën janë dhënë udhëzimet ndaj Qeverisë në kontekst të propozimit francez për çështjet e identitetit, për të cilat nuk do të negociohet, dhe opozita ka qenë pjesë e kësaj rezolute.
SEDAT SELIMI
