Stabiliteti i Maqedonisë me interes për OSBE-në

18.02.2015 18:59

Stabiliteti i Maqedonisë është interesi kryesor i OSBE-së. Vendi duhet të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, të përforcojë institucionet demokratike dhe të zgjidh çështjen e emrit për të zhbllokuar procesin eurointegrues...

Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, pas takimeve me kreun shtetëror ofroi mbështetjen e plotë të OSBE-së edhe për zgjidhjen e çështjeve politike në Maqedoni nëse kjo kërkohet nga institucionet vendore.

Veç kësaj, Daçiq ofroi edhe përvojën e Serbisë në zgjidhjen e konflikteve për tejkalimin e kontestit rreth emrit.

“Mendimi im si kryesues, ndërkaq kjo është edhe bindja e misionit tonë këtu, është se çështja e stabilitetit të Maqedonisë është shumë e rëndësishme. Dhe roli ynë është stabiliteti rajonal. Prandaj të gjitha kapacitet tona duhet t’i shfrytëzojmë për këtë qëllim”- deklaroi kryesuesi me OSBE-në, Ivica Daçiq.

Përveç zhvillimeve brenda vendit, Maqedonia nuk mund të mbetet e paprekur edhe nga zhvillimet rajonale, prandaj vendi ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim për t’u përballur me sfidat rajonale.

“Republika e Maqedonisë gjithnjë ka qenë mbështetëse e fuqishme e bashkëpunim rajonal dhe besojmë se problemet rajonale kërkojnë edhe zgjidhje rajonale për bashkëpunim. Inkurajojmë OSBE-në që të gjejë një zgjidhje politike për krizën në Ukrainë”- tha ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.

Ndërkaq, presidenti, Gjorge Ivanov, e ka njoftuar Daçiqin se për Maqedoninë sfidë kryesore mbetet zhbllokimi i status-kuosë në procesin eurointegrues, duke shtuar se integrimi euroatlantik krijon kohezion në shoqëri. Ivanov ka rekomanduar që kryesimi serb me OSBE-në të shfrytëzohet për përforcimin e bashkëpunimit rajonal për t’u përballë me ekstremizmin dhe luftëtarët e huaj.     

Daçiq, është takuar edhe me zëvendëskryeministrin, Musa Xhaferi, me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Poposkin, si dhe me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademin.

Serbia e filloi kryesimin me OSBE-në më 15 janar. Kryesimi me OSBE-në është me rotacion mes 57 vendeve anëtarëve të saj, çdo vit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)