Maqedoni
Gjykata e Tetovës vendosi 15 muaj burg për anesteziologun “Tiktoker”
17.05.2023 13:44
Anesteziologu tetovar Valton Dervishi u dënua me 15 muaj burg nga Gjykata Themelore e Tetovës....

Anesteziologu tetovar Valton Dervishi u dënua me 15 muaj burg nga Gjykata Themelore e Tetovës. Dervishi akuzohet se më 14 prill të këtij viti në rrjetin social Tik Tok, gjatë kohës sa ka qenë në orar të punës ka transmetuar video drejtpërdrejt nga reparti i Gjinekologjisë. Prokuroria Themelore Publike e Tetovës e akuzoi Dervishin për dy vepra edhe atë punë të pandershme në shërbim dhe incizim të paautorizuar. Për veprën e parë ai është dënuar me 12 muaj burg, ndërsa për veprën e dytë 5 muaj. Së bashku për të dy veprat, ai u dënua me 15 muaj burg.
Gjatë shqiptimit të dënimit, gjykatësi Nazif Iljazi , tha se janë marrë për bazë edhe rrethanat lehtësuese se i akuzuari është i martuar dhe ka dy fëmijë, si dhe gjendja e tij e rënduar shëndetësore. Ndërsa, i akuzuari Valton Dervishi e pranoi veprën duke kërkuar falje ndaj atyre që i ka shqetësuar. Njëkohësisht ai shprehu keqardhje për atë që ka ndodhur dhe pendohet për veprën duke nënvizuar se nuk e ka bërë për përfitime materiale.
“Kërkoj falje ndaj të gjithë atyre që janë shqetësuar dhe pendohem për atë që e kam bërë. Nuk e kam bërë me tendencë kundër askujt dhe nuk do ta përsëris këtë gabim.”, - tha Valton Dervishi.
Për shkak se i akuzuari e pranoi veprën, në seancën kryesore nuk u dëgjuan dëshmitarët e ftuar, kryesisht infermieret në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin Klinik të Tetovës. Në cilësinë e dëshmitarit nuk ishte i pranishëm drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Pëllumb Vela. Gjykata, po ashtu vendosi që kohën e paraburgimit deri sa të bëhet i plotfuqishëm vendimi, Valton Dervishi ta kalojë në paraburgim shtëpiak. Kujtojmë se personi në fjalë, pas denoncimit të rastit, është larguar nga puna si anesteziolog në Spitalin Klinik të Tetovës dhe i është marrë licenca e mjekut në kohëzgjatje prej 7 vitesh nga ana e Odës së Mjekëve.
VISAR SADIKI
