Maqedoni
Panair për mësimin profesional, ofertë për semimaturantët
17.05.2023 14:19
Në panairin digjital për regjistrim në arsimin profesional të organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut...

Në panairin digjital për regjistrim në arsimin profesional të organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, të premten në ora 11:00 do të marrin pjesë nxënësit e klasave të nënta në të gjitha shkollat fillore në vend. Qëllimi i panairit është informimi i nxënësve të klasës së nëntë dhe prindërve të tyre për llojet e ndryshme të kualifikimeve dhe profesioneve që ofrohen, si dhe për mundësitë që ofrojnë shkollat e mesme profesionale dhe kompanitë në vend, të përfshira në procesin arsimor.
“Do të prezantohen 15 lloje të kualifikimeve dhe disa profesione jashtëzakonisht të kërkuara në tregun e punës. Nxënësit e shkollave të mesme do të flasin se përse janë regjistruar në kualifikimin apo profilin përkatës, çfarë studiojnë dhe si e zbatojnë mësimin praktik dhe përfaqësuesit e kompanive do të shpjegojnë detyrat e punës të profesionit. Drejtorët e shkollave të mesme do t'i prezantojnë kushtet në shkollat profesionale.”, - deklaroi Natasha Janevska nga Oda Ekonomike e RMV-së.
Drejtori i Qendrës së Arsimit dhe Aftësimit Profesional, Sherif Miftari, theksoi se si institucion arsimor kanë bashkëpunim shumë të mirë me Odën Ekonomike dhe shtoi se kjo është për shkak të rritjes së interesimit për regjistrim në arsimin e mesëm profesional, i cili prodhon kuadro, sipas nevojave të tregut të punës.
“Kohëve të fundit ka pasur një interesim të madh për dy paralele, sepse kompanitë së bashku me pushtetin lokal dhe institucionet arsimore kanë filluar të interesohen për këtë lloj edukimi që prodhon kuadro të gatshme për ta. Në fillim vetëm 11 kompani ishin të përfshira në arsimin e dyfishtë, tani numri i tyre është 500, ndërsa numri i mentorëve është rritur nga 400 në 900.”, - deklaroi drejtori i Qendrës së arsimit profesional, Sherif Miftari.
Janevska, po ashtu theksoi se tani ka makina të automatizuara për profesionet për të cilat nuk ka interesim të mjaftueshëm, sepse në të kaluarën më së shumti punoheshin manualisht dhe shtoi se makinat e automatizuara do t'u prezantohen nxënësve të klasës së dytë përmes video prezantimit në panair.
VLORA LATIFI TOPOJANI
