Rasti “Monstra”, anulohet seanca publike më 14 qershor
Me kërkesë të palës mbrojtëse....

Me kërkesë të palës mbrojtëse anulohet seanca e shumëpritur e rastit "Monstra" në Gjykatën Supreme. Sipas mbrojtjes, dy nga pesë gjykatësit që janë në përbërje të Këshillit, vetëm se kanë marrë pjesë në vendim për këtë rast.
Me qëllim që të shqyrtohet lënda dhe kërkesa që bënë avokatët mbrojtës, Gjykata Supreme seancën publike të radhës për këtë rast e ka caktuar më 14 qershor.
Mbrojtja kërkon që gjykatësit Cvetanka Periq dhe Safet Kadriu të largohen nga përbërja e Këshillit me arsyetimin se ata vetëm se kanë qenë pjesë e një segmenti të kësaj lënde.
Nga Gjykata Supreme mbrojtja dhe familjarët, presin vendim të drejtë, duke pasur parasysh edhe vendimin paraprak për rigjykim, ku Supremja, la mundësinë të shqyrtohen rrethanat e reja e që në atë kohë ishin bisedat e përgjuara,për të cilat iu premtua publikut se do të zbulohet e vërteta mbi këtë rast.
“Presim që dy prej anëtarëve që kanë qenë të involvuar në këtë lëndë, të zëvendësohen me dy anëtarë të rinj. Për ne është me rëndësi që pa marrë parasysh kush të jetë anëtarë, të jetë i vërtetë dhe të mos jetë i prejudikuar. Unë nuk pres që Gjykata Supreme të shkojë kundër vetvetes, pasi që e dini se vendimi i Gjykatës Supreme ishte jo që këto nuk janë fajtorë, por që nuk ka asnjë dëshmi. Në këtë vendim Supremja potencon se Prokurorisë i mungojnë prova shtesë të cilat duhet të sigurohen.”, - deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
“Nëse vjen deri te rigjykimi, presim që ato shkelje të ligjeve procedural të gjykatësve që janë bërë në shkallën e parë dhe apel në mënyrë tendencioze, të pastrohen dhe të kemi një gjykim të drejt duke i lejuar të gjitha provat e mbrojtjes. U arrit të dëshmohet se provat janë të falsifikuara nga ekspertë ligjorë.”, - theksoi familjari, Bedri Ajdari.
Rasti "Monstra" që nga viti 2012 po udhëton në labirintet gjyqësore, për të mos gjetur epilog përfundimtar. Përkujtojmë se në gjykimin e parë me burg të përjetshëm u dënuan gjashtë persona.
Gjatë rigjykimit, një i akuzuar u liria nga akuza, për Haki Azirin dhe Fejzi Azirin ndryshoi vepra penale, ndërsa u shqiptuan tre dënime me burg të përjetshëm.
Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri aktualisht ndodhen në Kosovë, ndërkaq dënimin me burg të përjetshëm aktualisht po vuan vetëm Agim Ismailoviq. (Florije Kamberi, TVM2)
