Maqedoni

Gërkovska: Marrëveshja për korridoret ka klauzolë fshehtësie

17.05.2023 15:11

Zëvendëskryeministrja për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, në brifing me gazetarët ka sqaruar...

Zëvendëskryeministrja për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, në brifing me gazetarët ka sqaruar se marrëveshja me "Bechtel dhe Enka" për korridorin 8 dhe 10-D, përmban klauzolë fshehtësie, prandaj edhe nuk mund të publikohet. Këtë e ka sqaruar edhe kryeministri, tha Gërkovska.

"Deklarata ime e parë për këtë ishte se në parim nuk shoh arsye të mos publikohet, përveç nëse përmban klauzolë që do të mund të ndikonte në atë vendim dhe se do të kontrollojmë se a ka klauzolë të atillë. Por, klauzolë e tillë ekziston, menjëherë u publikua nga kryeministri dhe u njoftua opinioni për ekzistimin e klauzolës së tillë.", thekson Gërkovska.
 
Sa i përket mekanizmit për t’u tërhequr vërejtjen zyrtarëve që shkelin kodin etik dhe keqpërdorin funksionin, ajo tha se vendos në bazë të argumenteve, pa marrë parasysh për kë bëhet fjalë. Gërkovska thotë se tërheqja e vërejtjes ka ndikim, pasi vërehet ndryshim në sjellje. Zëvendëskryeministrja Gërkovska, njëherit bëri të ditur se është dhënë rekomandim që në çdo ministri dhe institucion të ketë person përgjegjës për kodeks, me qëllim të implementimit sa më të mirë të kodit etik. Nëse ka raste kur dikush edhe pas tërheqjes së vërejtjes e shkelë kodin etik, ajo e njofton kryeministrin i cili mund të kërkojë dorëheqje, shkarkim dhe vërejtje publike.
 
GYLTENE SINANI