Kovaçevski në Islandë: Bullgaria me diskursin rus ndaj Maqedonisë
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski....

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka kritikuar qasjen e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut duke e paralelizuar me diskursin e Rusisë ndaj Ukrainës. Komenti i kryeministrit vijoi në samitin e Këshillit të Evropës në Islandë, pasi nënkryetarja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, fajësoi vendin për shkelje të të drejtave të bullgarëve. Kovaçevski i prerë se është e papranueshme që akuzat të shfrytëzohen për qëllime politike dhe të pengohet rruga jonë eurointegruese.
“Maqedonia e Veriut është e njohur ndërkombëtarisht si shoqëri funksionale multietnike, ku respektohen të gjitha të drejtat dhe të gjitha raportet e vërtetojnë këtë. Akuzat e thëna në këtë samit nga përfaqësuesi i Bullgarisë janë të pabaza dhe vijnë nga një shtet, i cili nuk respekton verdiktet e gjykatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski theksoi se agresioni rus ndaj Ukrainës paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe thotë se Evropa është e bashkuar në kërkesën për përgjegjësi për krimet e bëra. Kryeministri theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria meritojnë që bashkërisht të kyçen në familjen evropiane dhe nuk duhet lejuar ndikime nga palë të treta, e sidomos jo nga Rusia.
Në Rejkjavik, Kovaçevski u takua me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Fon Der Lejen dhe me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Sholc, të cilët i falënderoi për mbështetjen në bisedimet për anëtarësimin e plotë të vendit në BE. ( Meral Ismaili, TVM2)
