Panelistët në “Argument”: Ndryshimet Kushtetuese me rëndësi për vendin

17.05.2023 16:30

Ndryshimet Kushtetuese domosdoshmërisht....

Ndryshimet Kushtetuese domosdoshmërisht do të duhet të kalojnë nëse duam të kemi një stabilitet politik në vend, vlerësuan analistët politik në emisionin “Argument” në TVM2.

Sipas ish-deputetit Ismet Ramadani, edhe pse opozita Maqedonase VMRO-DPMNE-ja po dëshiron të tregohet se është parti e fuqishme dhe homogjene, ndërsa presioni ndërkombëtarë mbi ta do të rritet.

“Mendoj se VMRO-DPMNE-ja nëse edhe më tutje vazhdon me këtë kokëfortësi, ndërsa unë kam informacione se vlon diçka atje dhe e pengon ecjen drejt Bashkimit Evropian, sado që VMRO-DPMNE-ja dëshiron të shitet se është parti e fortë, është homogjene dhe e pathyeshme, presioni ndërkombëtarë mbi ta aq shumë do të rritet, sepse ata tani kanë shkelur në prishjen e një gjeopolitike, strategjinë dhe ata nuk e kanë gjetur as kohën e as momentin për të bërë rezistencë.”, - deklaroi ish-deputeti, Ismet Ramadani.

Nga ana tjetër, ish-deputeti tjetër Abdyladi Veseli nuk beson se mund të përsëritet skenari me ndryshimet kushtetuese për emrin teksa thotë se për t’i kaluar ndryshimet kushtetuese, po i kushton vendin me lirimin e kriminelëve nga borxhet.

“Ajo që ndodhi me Ndryshimet Kushtetuese me deputetët e VMRO-së, unë mendoj se dy herë e njëjta gjë nuk përsëritet. Ato thonë se do t’i sigurojnë 10 deputetë, i siguruam edhe atëherë 8 deputetë, por e kriminalizuan Maqedoninë dhe krejt kriminelët dolën nga burgjet.”, - theksoi ish-deputeti, Abdyladi Veseli.

Ndërsa, për gazetarin Ismail Sinani, qasja e politikëbërjes tek blloku politik maqedonas le për t’u habitur, sepse sipas tij shpëtimi i vetëm i këtij vendi do të ishte që të kemi një kushtetutë më karakter puro-qytetar apo e ngjashme si ajo e Kosovës.

“Po të kishte politikë me vetëdije të lartë politike në kampin politik maqedonas, tani për mos çështjes së preambulës ku do të futeshin bullgarët, do ta ndryshonte komplet preambulën. Shpëtimi i vetëm dhe rruga e vetme e këtij shteti është që të ketë një kushtetutë me karakter vërtet puro-qytetar, një kushtetutë pak a shumë të ngjashme të cilën e ka Republika e Kosovës.”, - u shpreh gazetari, Ismail Sinani.

Tre panelistët, po ashtu vlerësuan se qasja e pushtetit dhe opozitës rreth nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë “Bechtel dhe Enka”, ka thelluar hendekun midis tyre. (Fitim Kryeziu, TVM2)