Ukraina kërkon nga OKB-ja mision të sigurisë

19.02.2015 13:46

Këshilli i Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare të Ukrainës ka miratuar një vendim pas kërkesës së presidentit, Petro Poroshenko, sipas të cilit i fton paqeruajtësit që ta monitorojnë situatën në lindje të Ukrainës...

Në vendim kërkohet respektimi i marrëveshjes për armëpushim të arritur në Minsk, pasi një nga qytetet kryesore, Debaltseve, tashmë është nën kontrollin e rebelëve pro-rusë.

"Sot unë dua t’iu ofroj të diskutojmë një pyetje. Ftoj në Ukrainë një mision paqësor të Kombeve të Bashkuara që do të punojë sipas mandatit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së"- deklaroi presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.

Gjashtë ushtarë të Ukrainës janë vrarë para “tërheqjes së planifikuar dhe organizuar”, ndërsa rreth 2 mijë e 500 trupa qeveritarë janë tërhequr nga Debaltseve.

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donjecktut nga ana tjetër thotë se nuk kanë asgjë kundër ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare.

“Në vetë fillimin e të gjithë konfliktit ne i kemi ofruar Federatës ruse dhe të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit ta shqyrtojnë këtë çështje dhe për të të dërgojnë paqeruajtës këtu. Morëm përgjigje negative. Por, nëse ata dëshirojnë të dërgojnë paqeruajtës, ne nuk jemi kundër këtij vendimi”- përfaqësues i militantëve pro-rusë, Eduard Basurin.

Ukraina dhe Perëndimi e kanë akuzuar Rusinë për dërgimin e trupave dhe armëve për rebelët në lindje të Ukrainës në përgjithësi, e në Debaltseve në veçanti.

Rënia e Debaltseves në duar të separatistëve ka ndodhur tri ditë pas armëpushimit të nisur, armëpushim i nisur konformë marrëveshjes së arritur në Minsk në mes të Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës. (Leunora Kaliqi, TVM2)