Botë

Kievi goditet sërish nga sulmet ajrore ruse

18.05.2023 10:57

Kryeqyteti i Ukrainës, Kiev, është goditur të enjten nga sulmet ajrore ruse...

Kryeqyteti i Ukrainës, Kiev, është goditur të enjten nga sulmet ajrore ruse, për të nëntën herë këtë muaj. Një person është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, si pasojë e sulmeve raketore në Odesa, qytetin port në Detin e Zi, kanë thënë zyrtarët.
 
Zyrtarët kanë thënë se ushtria e Kievit tani ka kapacitet për manovrim të tankeve, të pajisjeve luftarake, ka inxhinierë të rinj në fushëbetejë, mund të pastrojë territoret nga minat, të ndërtojë ura të përkohshme për të kaluar lumenjtë dhe për të shënjestruar targete në distanca të gjata.
 
Ata kanë thënë se trupat ruse janë në gjendje “të pakëndshme”, mirëpo kanë paralajmëruar se forcat mbrojtëse të Moskës mund të kenë vendosur shumë mina në linjë të frontit. Prandaj, sipas tyre, suksesi i ndonjë ofensive duhet të matet, jo vetëm me fitore territoriale, por edhe nëse presidenti rus, Vladimir Putin, bindet që ta rishqyrtojë strategjinë e luftës.
 
Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.