Fondacioni “Dauti” ndan 130 bursa për nxënës dhe studentë

19.02.2015 15:22

Fondacioni “Dauti”, edhe këtë vit ndau bursa për nxënës dhe studentë të dalluar, edhe atë 30 bursa për nxënës të shkollave të mesme dhe 100 bursa për studentë...

Investimi në të ardhmen e një shoqërie nuk mund të bëhet ndryshe përveç me përkrahjen e ngritjes dhe avancimit të rinisë, vlerësojnë nga Fondacioni “Dauti” dhe Kompania “Dauti Komerc”.

“Të flasësh për ndarjen e bursave të gjeneratës së katërt të bursistëve do të thotë të flasësh për një përgjegjësi shoqërore të cilën e demonstruan donatorët e këtij fondacioni”- deklaroi drejtori i Fondacionit, Ilir Idrizi.

“Kanalizojmë një mision, të përkrahim shtresat e ndjeshme shoqërore, siç janë studentët, sistemi arsimor, nevoja sociale, me një vizion të qartë që pak a shumë edhe ne të kontribuojmë në krijimin e një shoqërie të shëndoshë”- tha pronari i Kompanisë “Dauti Komerc”, Xhemail Dauti.

Mbështetjen e të rinjve nga komuniteti i biznesit e vlerësoi si shumë të nevojshme edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.

“Vizioni i fondacionit është që të bëhet një lider në promovimin e përgjegjësisë shoqërore korporatave dhe filantropisë, përmes organizimit dhe promovimit të programeve me karakter edukativ, kulturor, ekonomik dhe shoqëror, përmes bursave për nxënës dhe studentë. Mund të them me besim se ky vizion është tashmë një realitet”- theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.

130 bursat e Fondacionit “Dauti” u shtohen edhe 618 bursave për nxënës të shkollave të mesme dhe 2891 bursave për studentë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Po ashtu, në Fondacionin “Dauti” vazhdon konkursi sa i takon hulumtimeve kërkimore shkencore sidomos në sferën e inovacioneve. (Gyltene Sinani, TVM2)