Botë
Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti bisedon me Cholet
18.05.2023 12:35
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën mbrëma ka zhvilluar bisedë telefonike...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën mbrëma ka zhvilluar bisedë telefonike me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Sipas njoftimit të Qeverisë, Chollet dhe Kurti kanë biseduar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.
Po ashtu, kanë folur edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur.
Bisedën e filluan me vizitën e suksesshme në Kosovë të Administratores së USAID, Samantha Power, e cila bashkë me kryeministrin Kurti dhe ministren Rizvanolli shpallën ankandin e parë për parkun me energji solare.
Në lidhje me këtë, këshilltari Chollet tha se ajo ishte ndarë me përshtypjet më të mira dhe e falënderoi kryeministrin për pritjen. Kryeministri u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e administratores, Power dhe për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën”, thuhet mes tjerash në komunikatën për media.
