Botë

Vërshime në Itali, vijon alarmi i kuq në rajonet e vërshuara, rreshjet e ditëve të fundit, vërshime edhe në vendet e Ballkanit

18.05.2023 14:46

Vala e motit të keq që shkaktoi 9 të vdekur në Emilia-Romagna nuk ndalet...

Alarmi i kuq vijon të jetë në fuqi, ndërsa situata në shumë komuna është dramatike. Niveli i pothuajse të gjithë lumenjve vazhdon të jetë mbi pragun.
 
Gjatë natës janë shënuar përmbytje të reja në zonën e Ravenës. Evakuimet po zhvillohen në Kastel Bolonjeze, gjithashtu në provincën e Ravenës, ku ka pasur problem me mungesën e ujit të pijshëm. Rreth 750 zjarrfikës mes tyre edhe mbrojtja civile janë vendosur në dispozicion për të evakuuar qytetarët e bllokuar në shtëpitë e tyre. 
 
Në Faenza Ravena, dy të moshuar u shpëtuan nga një helikopter i rojës bregdetare. Të dy ishin strehuar në katin e fundit të ndërtesës, të rrethuar nga uji. Në Forli dy familje u shpëtuan nga zjarrfikësit. Bashkia ka krijuar gjithashtu një mbledhje fondesh për të mbështetur familjet që po përballen me katastrofën.
 
Energjia elektrike vijon të jetë e ndërprerë për mijëra banorë, ndërsa rrugët dhe autostradat janë bërë të pakalueshme. Alarmi i motit të keq është shpallur edhe në Toskanë. Rrëshqitje dheu, balt dhe përmbytje shihen në bashki të ndryshme. Në disa komuna është shpallur alarmi i kuq, ndërsa sasia e reshjeve të rëna në 48 orë është më shumë se 200 mililitra shi sasi më e madhe sesa mesatarja e një muaji. 
 
“Qeveria do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ndihmuar popullsinë e prekur nga përmbytjet në Emilia-Romagna, nga të evakuaurit deri te fermerët që kanë humbur të korra të tëra.”, tha zëvendëskryeministri, Antonio Tajani në rrjetet sociale. 
 
Dëmet i kalojnë më shumë se 300 milionë euro. Për shkak të përmbytjeve çmimi i madh i Formula një i planifikuar për fundjavën në Imola u anulua. Ndërsa, metereologët italian thonë se reshjet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim.  Një stuhi e fortë ka goditur edhe Serbinë.
 
Shirat e dendura shkaktuan përmbytje në Vojvodinë. Tre persona janë evakuuar dhe dy të tjerë janë lënduar nga stuhia në Novi Sad. Rrugë dhe shtëpi të shumta në Zrenjanin kanë mbetur nën ujë. Edhe Kragujevaci u godit nga një stuhi e fortë.
 
Është paralajmëruar për nivelin e ujit të lumit Sava në afërsi të Shabacit. Gjendja e jashtëzakonshme është ende në fuqi në disa qytete në veriperëndim të Bosnjë-Hercegovinës. Parku Kombëtar “Kërka” në Kroaci është mbyllur për vizitorët për herë të parë për shkak të përmbytjeve. Situata më e vështirë është në Kostajnicë dhe Karlovc. 
 
GYLTENE SINANI