Propozim-ligji për planifikim urbanistik, shqyrtimi me flamur evropian përplasi deputetët
Propozim-ligji për planifikim urbanistik të korridoreve 8 dhe 10-D....

Propozim-ligji për planifikim urbanistik të korridoreve 8 dhe 10-D u kundërshtua dhe ironizua nga VMRO–DPMNE. Pushteti u fajësua për keqpërdorim të flamurit evropian për të miratuar ndryshimet ligjore për të fshehur krimin që buron nga marrëveshja e firmosur. Kundër u shprehën edhe një pjesë e anëtarëve të koaliconit qeverisës.
“Për fat të keq, mbrapsht punohet në Kuvend dhe nesër jo vetëm Bullgaria, për procedura të tilla të mos habitemi nëse ndonjë vend tjetër të na vë veto, pasi që po keqpërdoret flamuri i Unionit për mbulimin e marrëveshjeve korruptive që mbahen sekret.”, - deklaroi deputeti i VMRO–DPMNE–së, Antonio Milloshovski.
“Ndryshim i ligjit për planifikim urbanistik me flamur evropian, do të nevojitet kur në bisedimet me BE-në do të harmonizohen procedurat tona urbanistike me legjislacionin evropian.”, - theksoi deputeti i VMRO Popullores, Lupço Ballkovski.
Deputeti i BDI-së, Bajram Kadria, i vuri në pah opozitës se me projektin “Shkupi 2014” janë shkelur të gjitha ligjet, që nuk është rasti me korridoret të cilat janë në interes të shtetit.
“Kjo patjetër se do të shkon, se ky projekt nuk ka prapavija rajonale, prapavija etnike, por ky projekt është i rëndësishëm për vendin dhe rajonin. Nëse i ngulitni ju në mendjet tuaja këto politika, gjatë kohë do të mbeteni të hendikepuar dhe të izoluar.”, - u shpreh deputeti i BDI-së, Bajram Kadria.
Jashtë debatit parlamentar u prononcua edhe kryeministri.
“Flamuri evropian i ligjeve është vënë me qëllim të projektimit dhe ndërtimit sa më të shpejtë dhe efikas të korridoreve, pasi korridoret janë vënë në hartën e transkorridoreve dhe arsyeja tjetër është bllokada nga e Majta e mbështetur nga VMRO.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Deputetët e VMRO–së gjatë debatit pretenduan se askush nuk e din rrugën ndërtimore dhe për mungesën e të dhënave do ta pësojnë institucionet. Akuzat e tilla u hodhën poshtë nga deputetët e LSDM-së.
“Për shkak të dhënies së informacioneve jo të sakta , do t’i faturohen të të gjitha subjekteve juridike, d.m.th. ato do të duhet të paguajnë, pasi nuk dinë dhe nuk munden që për shtatë ditë saktë të raportojnë se çfarë ka në rrugën ndërtimore.”, - theksoi deputeti i VMRO–DPMNE–së, Zdravko Trajanov.
“Bëhet fjalë për model të ri të planifikimit dhe ndërtimit, i cili jep rezultate më të shpejta të ndërtimit të rrjeteve rrugore dhe jo diçka që do të prodhonte probleme të cilat vështirë mund t’i zgjidhin ekspertët.”, - u shpreh deputetja e LSDM-së, Zhaklina Llazarevska.
Përpos ndryshimeve ligjore për planifikim urbanistik, në rend dite për debat janë vënë edhe ndryshimet ligjore për shpronësim të pronave përgjatë rrugës ndërtimore. (Meral Ismaili, TVM2)
