“Liria e mediave”, gazetarët të mos bien pre e presioneve politike
Edhe pse kohëve të fundit është bërë një hapërim serioz....

Edhe pse kohëve të fundit është bërë një hapërim serioz në aspekt të lirisë së mediave, megjithatë gazetarët në vend ende përballen me probleme serioze siç janë presionet politike, financat e dobëta, dezinformatat apo gjuha e urrejtjes.
Kryetari i ShGM-së, Mlladen Çadikovski tha se presionet janë ngushtë të lidhura me gjendjen financiare të mediave, pasi shpesh ato janë të varura prej bizneseve që kanë interesa të përbashkëta me politikën.
“Ndikimet mund të jenë politike, mund të jenë ndikimet prej bizneseve, kurse më të shpeshta janë ato të përziera, pra që vijnë prej politikës dhe bizneseve, pasi që tek ne politika dhe biznesi funksionojnë si në një martesë me interes dhe në atë martesë me interes, gazetarët, mediat, redaksitë, ndonjëherë janë nën ndikim të fuqishëm, për shkak se financiarisht janë të dobëta, nuk janë të pavarura nga funksionimi prej këtyre ndikimeve politike dhe biznesore dhe mund të jenë nën presion serioz që politikën e tyre redaktuese ta konfigurojnë sipas interesave të dikujt e jo sipas interesave të publikut.”, - deklaroi kryetari i ShGM-së, Mlladen Çadikovski.
Partitë politike shpesh-herë tentojnë të marrin rolin e redaktorit dhe nuk janë të rralla rastet kur partitë zgjedhin mediat për kë të prononcohen, e kë të bojkotojnë, varësisht sipas interesave të tyre.
“Nuk janë të rralla rastet kur gazetarët përballen me dyer të mbyllura të institucioneve ose të përfaqësuesve të institucioneve, madje edhe kur nuk ju parashtrohen pyetje që i zënë ngushtë. Edhe zëdhënësit e partive ose institucionet, ndonjëherë nuk hapin telefonat apo nuk u përgjigjen sms porosive të gazetarëve. Shumë institucione nuk kanë as zëdhënës. Ndodh që partitë të gjejnë mënyrë për të zgjedhur media të caktuara dhe të refuzojnë pjesëmarrjen nëpër debate apo duke vendosur kushte se me cilin analist apo funksionar dëshiron të merr pjesë në debat.”, - theksoi gazetarja, Arta Tahiri.
Megjithatë është edhe në dorë të gazetarit të vendosë se sa do të bie nën ndikim të presioneve, thonë ekspertët e fushës së medias. Bëjnë apel që gazetarët të punojnë sipas parimeve etike dhe profesionale të punës.
“Fokusi i gazetarëve është një mjet i rëndësishëm për atë se si të mbrohemi ndaj gjithë dukurive negative, për shkak se gazetarët më pak profesional, për shkak të ndonjë ekskluziviteti mund të marrin ndonjë informacion dhe të shkojnë krejtësisht në drejtim tjetër.”, - u shpreh drejtori i përgjithshëm i MIA-s, Dragan Antonovski.
Panel diskutimi me temë “Liria e mediave” përballë presioneve politike, dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes, si më tutje u organizua nga instituti për mendime dhe analitike - IMA. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
