Qyteti i Shkupit, këshilltarët shqiptarë nuk përkrahin luanin e VMRO-së
Përmendorja e luanit, që duhet të vihet në shtyllën baroke para selisë së re të VMRO-DPMNE-së në Shkup, nuk mori përkrahjen e këshilltarëve shqiptarë...

Grupi i këshilltarëve të BDI-së dhe të PDSH-së në seancën e sotme të Qytetit të Shkupit kërkuan tërheqjen e kësaj pike nga rendi i ditës dhe rishikim të metodës së votimit.
Këshilltarët e BDI-së nuk votuan për të, ndërsa PDSH-ja opozitare kërkoi t’i pranohet propozim-donacioni për vënien e një shqiponje në “Urën e Gurit” në Shkup.
“Grupi i këshilltarëve të BDI-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, edhe kur ishte propozim vendimi për ndërtimin e sheshit VMRO, nuk e përkrahi këtë vendim, dhe sigurisht që edhe këtë donacion të luanit, të cilën këshilli i qytetit të Shkupit duhet ta marrë nga një ndërmarrje private, nuk do ta përkrahim për arsye se edhe atëherë edhe tash vlerësojmë se mjetet materiale duhet të shpenzohen aty ku qytetarët e Shkupit kanë më tepër interes, dhe mendoj se kjo nuk është ndonjë interes i përgjithshëm për qytetarët e Shkupit”, - deklaron Qemal Musliu –BDI.
“Kush të do mund të jep donacion, dhe të figuron çdo figurë apo përmendore në çdo kënd të qytetit të Shkupit atëherë edhe në emër të partisë time të cilën e prezantoj, por edhe në emër timin personal, ne donojmë apo dhurojmë që të jetë shqiponja dykrerëshe në urën e gurit, në cilën do ta përshkruan atje” - tha Idriz Orhana-PDSH.
Përmendorja e luanit, është donacion nga “Urban Invest DOO” nga Kavadari dhe kap vlerë prej 50 mijë eurosh. Ndërkohë, në seancën e sotme u diskutua edhe për buxhetin e Qytetit të Shkupit, LSDM opozitare kërkoi të bëhet ribalanc i buxhetit, me qëllim të ri-dedikimit të mjeteve të parapara për fasadat barok, në donacione për banorët e zonave të përmbytura. (Rexhep Qamili, TVM2)
