Maqedoni

Ndryshimet Kushtetuese, Grupi i punës njëzëri votoi Rregulloren për punë

19.05.2023 15:26

Grupi punues i përbërë prej 23 anëtarëve ka votuar njëzëri Rregulloren për punë....

Grupi punues i përbërë prej 23 anëtarëve ka votuar njëzëri Rregulloren për punë, në të cilën janë përfshirë të gjitha rrethanat formale juridike dhe elementet e tjera gjatë procedurës ku do të punohet propozim-iniciativa për Ndryshimet Kushtetuese. Kryetarja e Grupit të punës, Margarita Caca Nikollovska, thekson se Rregullorja është e qartë dhe precize, ndërsa vendimet do të miratohen me shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i anëtarëve. Nikollovska, megjithatë nuk diskuton për afate kohore se kur mund të jenë gati amendamentet, por tha se do të kenë takime të shpeshta për të kryer obligimin rreth përpilimit të propozim-iniciativës për Ndryshimet Kushtetuese, me qëllim të mos ketë vonesa.
 
“Afate nuk kemi, megjithatë ajo që është me rëndësi është se duhet të merren parasysh të gjitha mundësitë të cilat duhet t’i shfrytëzojmë që të mund Bashkësia Ndërkombëtare të vazhdojë punën në pajtueshmëri me agjendën e tyre. Pra, prioritet në punë është të arrihet në kohë dhe sa më shpejt shteti t’i prezantojë rezultatet që i ka ndërmarrë.”, - deklaroi kryetarja e Grupit të punës, Margarita Caca Nikollovska. 
 
Nëse në Grupin e punës do të hapet tema për heqjen e 20 % nga Kushtetuta, siç kërkojnë nga Aleanca për Shqiptarët, Nikollovska tha se mandati që kanë marrë anëtarët e këtij grupi nuk është i pakufizuar, por në drejtim të propozimit evropian për vazhdimin e procesit eurointegrues.
 
“Ai ndoshta diku ka dhënë këtë deklaratë, megjithatë them, shikoni se çfarë mandati kemi ne. Mandati jonë nuk është i pakufizueshëm, mandati jonë është në drejtim të vendimit të ministrit, që bart konkluzionet në Kuvend dhe obligimet ndërkombëtare që  ka marrë shteti dhe vendimin e Qeverisë.”, - theksoi kryetarja e Grupit të punës, Margarita Caca Nikollovska. 
 
Rregullorja është bazë që jep mundësinë për punë të mëtutjeshme të grupit, brenda dy ditëve do të jetë publike në faqen e internetit të Ministrisë së Drejtësisë.
 
FLORIJE KAMBERI