Maqedoni
Në Kamjan të Bogovinës u lëshua në përdorim fabrika “Multipark Izairi”
19.05.2023 17:37
Është lëshuar në përdorim fabrika “Multipark Izairi” në fshatin Kamjan, komuna e Bogovinës...

Është lëshuar në përdorim fabrika “Multipark Izairi” në fshatin Kamjan, komuna e Bogovinës. Fabrika do të merret me prodhimin e kabllove dhe tubave të bakrit, e vetmja në Pollog, por edhe në vend, që do të merret me këtë prodhim. Nebi Izairi, njëri ndër pronarët e fabrikës tha se kjo ka qenë ëndërr e familjes për të investuar në vendlindje.
“Jemi krenar që mundin tonë ta kurorëzojmë me këtë investim të madh, kjo ishte ëndërr e kamotshme. Guri peshon ne vendin e vet. Realizimi ka kërkuar mund dhe përkushtim të madh.”, - deklaroi pronari i “Multipark Izairi”, Nebi Izairi.
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytiqi dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, thanë se qeveria ka përkrahur nga themelimi këtë biznes duke i ndihmuar në mjete të pakthyeshme. Ata njëherit ftuan mërgimtarët të investojnë në vendlindje, duke premtuar edhe përkrahje të Qeverisë.
“41% përkrahet nga shteti, një ndër përkrahjet më të mëdha që ka dhënë kjo Qeveri. Qeveria ka marrë masa për zhvillim të barabartë regjional. Rajoni i Pollogut merr më shumë përkrahje se sa rajoni i Shkupit.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
“Edhe Bogovina si komunë ka hapësirë që të ketë zhvillim ekonomik. Nga çdo mërgimtar, 5 vite do të mbështetet me 15 % shtesë që i takon. Çdo investim që ndodhë nga një mërgimtar do mbështetet deri në 1 milion euro nga qeveria me mjete të pa kthyeshme.”, - u shpreh ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Investitorët paralajmëruan që deri në fund të vitit 2026 investimi do të arrijë në 26 milion euro dhe pritet të hapen shumë vende të reja të punës.
VISAR SADIKI
