Maqedoni
Kryesia e BDI-së: Mirëpresim mbështetjen e SHBA-së për integrimin në BE
19.05.2023 20:14
BDI është sot mbledhur në selinë e saj në Tetovë për të diskutuar për zhvillimet aktuale...
Në selin e Bashkimi Demokratik për Integrim në në Reçicë të Vogël në Tetovës janë tubuar integristët ku kanë shqyrtuar situatën aktuale politike në vend. Një nga pikat e bisedës ka qenë edhe vizita në SHBA e kryeministrit Kovaçevski dhe ministrit të Jashtëm Osmani dhe bisedimet që delegacioni shtetëror pati me krerët më të lartë amerikan. Vizita u vlerësua unanimisht si jashtëzakonisht domethënëse dhe e suksesshme.
“Takimet në SHBA u realizuan në një kohë vendimtare kur po bëhen përpjekje për të ardhmen e vendit dhe po merren vendime të rëndësishme për qytetarët. Në të gjitha takimet me krerë më të lartë të shtetit amerikan, u përfitua një mbështetje e plotë dhe e qartë për rrugën europiane, të cilën vendi po e ndjek me vendosmëri. Porositë pozitive nga Qeveria Amerikane janë rezultat i besimit në përkushtimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për parimet demokratike dhe integrimin europian.
Vendi ynë njihet si faktor i stabilitetit rajonal dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë në një nivel historikisht të lartë. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njohin dhe mbështesin përpjekjet për përmbushjen e kritereve të BE-së dhe përkushtimin për zbatimin e reformave jetike në të gjitha segmentet.
Mesazhet e partnerëve tanë strategjikë janë edhe konfirmim i politikës dhe drejtimit korrekt që BDI e ndjek në mënyrë të vazhdueshme dhe pa kompromis. Ftojmë të gjitha partitë politike dhe deputetët të bashkohen dhe të mbështesin të ardhmen europiane të vendit. Këto janë momente historike për të ardhmen e vendit, është koha për lidership dhe guxim.”, thuhet ne kumtesën e BDI-së.
Lideri I BDI-së, Ali Ahmeti para fillimit të takimit tha se janë mbledhur për të diskutuar lidhur me zhvillimet për fillimin e zgjedhjeve në BDI, zgjedhjet lokale nëpër degë dhe mobilizimin e koordinatorëve dhe të shefave të shtabeve zgjedhore. Ahmeti hodhi posht zërat se janë mbledhur për të diskutuar për shkarkimin e pjestarëve të grupit të zjarrit.
“Nuk ka të bëjë diçka me shkarkime apo ngarkime, ka të bëjë me konsulta.Konsulta mbi zhvillimet për fillimin e zgjedhjeve në BDI, zgjedhjet lokale nëpër degë dhe mobilizimin e koordinatorëve, të shefave të shtabeve zgjedhore. Është një proces që e keni përcjellë më herët.BDI ka qenë, mbetet dhe do të jetë parti dhe avangardë e çështjes kombëtare në RMV. Ka qenë, është dhe do të mbetet.”, tha kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
