Kërçovarët kërkojnë zgjidhje urgjente për qentë endacak
Qentë endacak përbëjnë rrezik....

Qentë endacak përbëjnë rrezik permanent për Banorët e komunës së Kërçovës sepse numri i tyre gjithnjë e më tepër po rritet.
Avokati Arian Imeri njofton se brenda periudhës një vjeçare, kompenzime për pasojat e kafshimeve nga qentë endacak marrin rreth 350 qytetarë.
Në komunën e Kërçovës është shtuar dukshëm numri i qenëve endacak. Ata ndodhen kudo, në hapësirat e vendbanimeve rurale dhe urbane, para objekteve shkollore dhe mjeksore. Lëvizin lirshëm në të gjitha rrugët e qytetit dhe rrezikojnë kalimtarët në çdo kohë të ditës.
Masat e deritanishme nuk kanë dhënë efektet e dëshiruara, prandaj është e nevojshme një zgjidhje urgjente e këtij problemi që prej kohësh përbën shqetësim permanent për të gjithë banorët, e sidomos për fëmijët, shprehen qytetarët e Kërçovës.
Viteve të fundit janë shtuar rastet e kafshimeve të cilat e kanë rritur edhe numrin e të dëmtuarve që kërkojnë kompenzime përmes proceseve gjyqësore.
Avokati Arian Imeri bën të ditur se, përmes procedurave përkatëse, brenda periudhës një vjeçare, kompenzimet nga pasojat e kafshimeve të qenëve i marrin rreth 350 qytetarë.
Fatkeqsisht, projektet e deritanishme për trajtimin e qenëve endacak nuk i kanë dhënë rezultatet e pritura. Nga komuna e Kërçovës njoftojnë se për zgjidhjen e këtij problemi, komuna ka përgaditur një projekt për trajtimin dhe sistemimin e qenëve endacak, i cili duhet të realizohet në bashkëpunim me komunën e Makedonski Brodit, e cila duhet të sigurojë vetëm lokacionin e strehimores ndërsa mjetet e konkretizimit të këtij projekti i merr për sipër komuna e Kërçovës.
