Xhes Bejli takon Ali Ahmetin dhe Musa Xhaferin

19.02.2015 18:30

Rasti “PUÇ”, integrimi i vendit në BE dhe NATO dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit janë disa nga çështjet për të cilat kanë biseduar në takimin e parë zyrtar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ambasadori i ri i SHBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli...

Në një komunikatë me shkrim nga selia e Integristëve njoftojnë se dy bashkëbiseduesit janë zotuar për ta vijuar bashkëpunimin e afërt dhe konsruktiv në drejtim të realizimit të synimit të përbashkët, integrimit të Maqedonisë në komunitetin euroatlantik.

Kryetari i BDI-së, Ahmeti, gjatë takimit ka ripërsëritur para ambasadorit të ri se prioritet i partisë së tij mbeten integrimi në NATO, fillimi i bisedimeve për anëtarësim në NATO, zbatimi i frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe mirëmbajtja e marrëdhënieve të shëndosha ndëretnike, marrëdhënie të mira me fqinjët, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia sociale.

Ndërsa sa i përket aferës masive të përgjimeve, Ahmeti ka theksuar nevojën e veprimit pa emocione dhe me racionalitet, si dhe ka kërkuar përfshirje sa më të shpejtë të komunitetit ndërkombëtar në lehtësimin e dialogut politik, si dhe hetimin dhe procedimin e rastit të përgjimeve masive bashkë më autoritetet vendore.

Bashkëbiseduesit gjithashtu kanë diskutuar edhe rreth marrëdhënieve midis komuniteteve shumicë, zbatimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit, si dhe reformat në vend.

Ndërkohë, edhe zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, në takimin me ambasadorin  Bejli, ka diskutuar rreth situatës aktuale politike, me theks të veçantë statusin e marrëdhënieve ndëretnike në këto situata që kalon vendi dhe roli i Marrëveshjes së Ohrit për tejkalimin e konflikteve.

Xhaferi njohu ambasadorin Bejli për dinamikën e implementimit të obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, duke theksuar se zbatimi i kësaj marrëveshje dhe integrimi në strukturat euroatlantike, NATO dhe BE mbetet prioritet i Qeverisë së Maqedonisë. Nga ana tjetër, ambasadori Bajli tha se SHBA mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE dhe se në realizimin e këtij synimi nevojitet edhe zbatimi i reformave të nevojshme. “SHBA është vend mik i Maqedonisë dhe mbështet atë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, që është rrugë drejt prosperitetit, demokracisë së zhvilluar dhe shtetit ligjor”- tha Bejli. (Sanije Kasami, TVM2)