Botë

Bruksel, mblidhen ministrat e jashtëm të BE-së

22.05.2023 11:52

Në takimin e sotëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel...

Në takimin e sotëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel, ministrat e vendeve anëtare do të diskutojnë për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas njoftimeve nga Bashkimi Evropian, temat kryesore që do të jenë në rend dite janë procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, situata në Bosnjë e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian pritet të përsërisë edhe një herë përkushtimin për të vazhduar ndihmën për rajonin, por edhe të kërkojë nga këto vende të kryejnë obligimet e marra për të zbatuar reformat dhe për t’u përshtatur edhe me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Deri tani, të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, kanë mbështetur sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë. Për më tepër, në vitin e fundit, përshtatja e Serbisë me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme është zvogëluar edhe më shumë. Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pritet që edhe nga ky takim të përsëritet thirrja për progres në procesin e normalizimit të raporteve dhe zbatimin e të gjitha obligimeve që palët kanë marrë përsipër në këtë proces.
 
Pas udhëzimeve që liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor kanë dhënë nga samitet e Bërdos në vitin 2021 dhe Tiranës në vitin 2022, Bashkimi Evropian ka asistuar partnerët që të zhvillojnë kapacitetet e tyre për t’u përballur me kërcënimet hibride, posaçërisht ato kibernetike dhe me fushatat e manipulimit dhe ndërhyrjes nga faktorë të jashtëm. BE-ja ka përfshirë vendet e rajonit edhe në planet e përbashkëta për të parandaluar aktet terroriste.