Botë

Zgjedhjet në Greqi, Mitsotakis i gëzohet fitores së madhe

22.05.2023 14:07

Duke fituar mbi 40 për qind të votave, dy herë më shumë se Syriza, kryeministri aktual grek Mitsotakis...

Duke fituar mbi 40 për qind të votave, dy herë më shumë se Syriza, kryeministri aktual grek Mitsotakis shpalli fitoren e partisë së tij Demokracia e Re në zgjedhjet parlamentare në Greqi, por atij i mungojnë disa deputetë për të formuar një qeveri në mënyrë të pavarur. Fjalimi i kryeministrit u mor si tregues se ai nuk do të kërkonte të ndante pushtetin me një parti tjetër, por do të shkonte për një zgjedhje tjetër në fund të qershorit, për të fituar shumicën absolute.
 
“Dua të falënderoj të gjithë ata që punuan për të arritur këtë fitore të madhe që i tejkaloi pritshmëritë tona, pesha e përgjegjësisë që bie mbi supet e mia është e tillë që do të punojë më shumë që të jemi më të guximshëm me politikat qendrore.”, - deklaroi kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
 
Demokracia e Re siguroi 146 deputetë, pesë më pak se minimumi i kërkuar për një shumicë në parlament. Gjithsej pesë parti garuan për pjesëmarrje në legjislativ.
 
“Nuk prisja asgjë, e merituam atë që na erdhi për fat të keq. Ky është vendi ynë, të them të drejtën, doja diçka të re, të ndryshme dhe jo të njëjtën familje sërish, por do të shohim.”, - tha një qytetar.
 
“E prisja rezultatin, të gjithë miqtë dhe familja ime janë të gëzuar. Shpresoj që Demokracia e Re do të dalë edhe më mirë në raundin e ardhshëm.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
“Kam tre fëmijë dhe nuk kam jetuar në varfëri, as në vështirësi. Me këtë kryeministër ndihem i sigurt.”, - theksoi një qytetar.
 
“Jam shumë i lumtur, sepse Kyriakos Mitsotakis dhe Demokracia e Re e ndihmuan shumë ekonominë në Greqi.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
Syriza përfundoi në vendin e dytë, ndërsa  PASOK - Lëvizja për Ndryshim u rangua e  treta, e ndjekur nga Partia Komuniste dhe Zgjidhja Greke.
 
“Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar, pasi me gjasë do të ketë zgjedhje të dyta. Ne duhet të zbatojmë të gjitha ndryshimet menjëherë në mënyrë që të mund të luftojmë. Nga zemra dua të falënderoj qytetarët që na nderuan me votën e tyre.”, - deklaroi Aleksis Tsipras nga SYRIZA.
 
Kushtetuta greke parashikon që presidenti duhet t'i dorëzojë një mandat fituesit menjëherë pas zgjedhjeve, nëse ai e kthen mandatin, fitojnë një shans të ranguarit e dytë dhe të tretë në zgjedhje.
 
FLUTURA LATIFI