Maqedoni

Nënshkruhet marrëveshje për investim të ri prej 40 milionë eurosh në ZZhTI - Kërçovë

22.05.2023 17:44

Në Bruksel u nënshkrua Marrëveshja për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e baterive elektrike...

Në Bruksel u nënshkrua Marrëveshja për ndërtimin e fabrikës për prodhimin e baterive elektrike, të cilat do të përdoren për veturat elektrike në Maqedoninë e Veriut. Kompania belge “Avesta Batteries and Energy Engineering” do të ndërtojë fabrikën në  Zonën e Zhvillimit Teknologjik-Industrial - Kërçovë. 
 
“Kompania tërheq talente nga e gjithë bota dhe besoj se fabrika në Maqedoni do të bëhet një qendër që do të tërheqë talente të tilla, veçanërisht të rinj. Kjo është një kompani që është aktive në industrinë e automjeteve elektrike të shekullit të 21-të.”, - deklaroi drejtori i ZZhTI, Jovan Despotovski.
 
Për pronarin dhe menaxherin e përgjithshëm të ABEE, Noshin Omar, ky projekt përfaqëson një pikë kyçe dhe kthese në strategjinë e zgjerimit të ABEE-s.
 
“Ky është një konfirmim i angazhimit tonë për të gjetur inovacione teknologjike dhe zgjidhje për qëndrueshmërinë e energjisë. Jemi të bindur se kjo fabrikë do të kontribuojë në rritjen ekonomike të Maqedonisë së Veriut dhe do të forcojë më tej pozitën e ABEE si lider global në industrinë e sistemeve të menaxhimit të baterive.”, - theksoi menaxheri i përgjithshëm i ABEE, Noshin Omar. 
 
Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se me këtë investim në Kërçovë do të krijohen 600 vende pune. 
 
“Stafi që do të punësohet në fabrikën në Kërçovë do të kalojë në një proces trajnimi për futjen e teknologjive të reja dhe aplikimin e proceseve të punës së teknologjisë së lartë që do të zbatohen në fabrikën ABEE në Kërçovë.”, - u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Ministri Bekteshi dhe drejtori i Zonave të zhvillimit teknologjik industrial, Despotovski, janë pjesë e delegacionit në Bruksel të kryesuar nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili do të marrë pjesë në një forum biznesi në Antwerp, ku do të prezantohen mundësitë për investime para kompanive belge. 
 
FITORE DEMOLLI