Tiranë, zhvillohet stërvitja “Defender Europe 2023”
22.05.2023 18:06
Forcat e ushtrisë amerikane dhe të NATO-s bashkë me ato shqiptare po zhvillojnë në Tiranë...

Forcat e ushtrisë amerikane dhe të NATO-s bashkë me ato shqiptare po zhvillojnë në Tiranë stërvitjen “Defender Europe 2023”. Kryeministri Rama e vlerësoi ngjarjen si një dëshmi të partneritetit me ShBA dhe NATO-n, por edhe si moment kulmor për vendin në arenën ndërkombëtare.
“Për herë të dytë kjo stërvitje vë në pah edhe përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve tona falë mbështetjes së aleatëve amerikanë dhe vendeve të NATO-s. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar dhe sot e ulur në tryezën e këshillit të sigurimit krah për krah me ShBA-në.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, e vlerësoi stërvitjen si një kontribut për paqen në botë dhe në rajon në kohën e duhur dhe apeloi për më shumë mbështetje për ushtarakët.
“Kanë ndikim edhe në rajonin tonë të brishtë ku aktorë dashakeqës përpiqen të zgjerojnë influencat e tyre. Ndaj rëndësia e kësaj stërvijeje është më e prekshme dhe vazhdueshmëria e saj e nevojshme.”, - theksoi presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Duke kujtuar fjalët e heroit kombëtar shqiptar, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim theksoi se stërvitja “Defender Europe 2023” e gjen Shqipërinë, NATO-n dhe aleatët më të bashkuar se kurrë më parë.
“Në dy vite që prej “Defender 2021”, bota ka ndryshuar, Shqipëria dhe aleatët tanë të NATO-s janë më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë. Nuk mund të mos kujtoj fjalët e Skënderbeut, bashkimi bën fuqinë. Që nga “Defender 2021”, Shqipëria dhe ShBA po bëjnë më shumë se kurrë më parë së bashku. Kemi ngritur dy pranitë e para ushtarake të ShBA-ve në historinë e Shqipërisë.”, - u shpreh ambasadorja e ShBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim.
Ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi tha se ky është një rast i mirë për aftësimin e forcave të armatosura.
“Synimi ynë është se jemi në gjendje të përballojmë çdo sfidë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.”, - deklaroi ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi.
Stërvitja “Defender Europe 2023” e cila filloi të dielën në Kosovë po zhvillohet edhe në Shqipëri dhe disa vende të Evropës me pjesëmarrjen e 24 mijë trupave dhe mjeteve ushtarake të ShBA-ve dhe vendeve të NATO-s.
LULJETA NDOKA
