Komuna e Sarajit ndau 12 bursa për nxënës dhe studentë të dalluar
Për nxënësit dhe studentët e dalluar të Komunës së Sarajit për vitin shkollor dhe akademik 2014\2015 kjo komunë ka ndarë 12 bursa...

7 bursa u janë ndarë studentëve dhe 5 bursa nxënësve të shkollave të mesme.
“Shuma e bursave për shkollat e mesme është 3000 denarë, ndërsa për studentët 4600 denarë. Shpresojmë që në këtë formë, në këtë mënyrë sadopak ne si komunë, si institucion do t’i ndihmojmë nxënësit dhe studentët në realizimin e ëndrrës së tyre, që t’u ndihmojmë në realizimin e në përfundimin e shkollimit të tyre”- deklaroi kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
Fituesit e bursave theksojnë se kjo i motivon për arritje të sukseseve edhe më të mëdha.
“Kjo për ne ka një domethënie të madhe, sepse ne na jep një stimulim, një motiv që t’i vazhdojmë studimet, që edhe ne si studentë të japim kontributin tonë në arsimim”- tha një student.
“Për mua kjo bursë d.m.th. shumë, ndoshta për dikë është pak, po për ne si studentë kemi shumë nevojë dhe mendoj se është një shtytje e madhe që ne ta vazhdojmë studimin”- theksoi një studente.
Njëherit, kryetari i Sarajit, Bekim Murati, paralajmëroi se ndarja e bursave do të bëhet edhe gjatë viteve të ardhshme, me përpjekje që të përfshihen edhe nxënësit e shkollave fillore dhe sportistët e dalluar të kësaj komune. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
