Turqia e interesuar për biznese në Maqedoni
Bashkëpunimi ekonomik, shkëmbimi i përvojave të Maqedonisë, Turqisë dhe vendeve tjera të rajonit dhe mundësitë e ndryshme për investime janë ndër pikat kryesore të bisedimeve në Samitin e trete Ndërkombëtar Ekonomik në Bursë të Turqisë...

Ministrat e vendeve të rajonit diskutuan në temën “Komunat dhe zhvillimi ekonomik–bashkëpunimi i Turqisë me Ballkanin”. Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, prezantoi modelin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe zhvillimin e zonave teknologjike-industriale, si shtylla kryesore të rritjes ekonomike të vendit.
“Delegacioni i përbërë nga Ministria e Ekonomisë me delegacionin e Komunës së Çairit, sot në Samitin Ekonomik në Bursë prezantuam mundësitë që Republika e Maqedonisë i ofron në fushën ekonomike. Duke pas parasysh se Republika e Maqedonisë ka një bashkëpunim të mirë në sferën ekonomike dhe këmbim tregtar dhe bashkëpunimin ekonomik me Turqinë, është në vendin e 8 esenca dhe qëllimi kryesor i vizitës sonë, që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje dhe pse jo të mos intensifikohet dhe shkëmbimi tregtar të jetë më i lartë”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Ministri Neziri i njoftoi përfaqësuesit e kompanive turke për mundësitë e ndryshme të cilat ofrohen në lehtësimin e taksave për të investuar në Maqedoni. Sipas Nezirit, dy kompani të njohura në Turqi në sferën e prodhimit të kafesë dhe të industrisë automobilistike veç më kanë shprehur interesim të madh për vendin.
“Ajo me të cilën patëm takime është se një kompani turke është interesuar për investime në Maqedoni, e cila merret me prodhimin e kafesë dhe gjithashtu një kompani tjetër ishte interesuar për të hyrë në investim në sferën e industrisë automobilistike”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Në Samitin Ekonomik në Bursë morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, kryetarët e disa komunave të Kosovës, Shqipërisë, Bullgarisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, si dhe shumë biznesmenë, deputetë, ministra dhe përfaqësues të OJQ-ve nga Maqedonia. Samiti i tretë Ekonomik u organizua nën patronazhin e kryeministrit turk, Ahmed Davutogllu. (Rexhep Qamili, TVM2)