Propozim-ligjet për ndërtimin e korridoreve, VMRO kundër, në mungesë të marrëveshjes, pushteti në mbështetje të ndryshimeve

23.05.2023 15:47

Dyshime për dakordime korruptive....

Dyshime për dakordime korruptive me ndërmarrjet “Bechtel dhe Enka” në ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-D, drejtuan deputetët e VMRO-DPMNE-së, përderisa shqyrtohej propozim-ligji për shpronësim.

Sipas opozitës, me miratimin e shpejtuar të ndryshimeve ligjore dhe në mungesë të marrëveshjes së nënshkruar po tentohet të kriminalizohet e gjithë procedura e ndërtimit.

“Kemi vërejtje serioze sa i përket kushteve me të cilat do të ndërtohet, vlera për të cilën do të ndërtohet, afatet për ndërtim dhe marrëveshjet e shumta korruptive në të cilat me arsye dyshojmë pasi që nuk e kemi marrëveshjen në duar.”, - deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Gracia Bakraçevska.

Ministri i financave, Fatmir Besimi, i cili mbrojti ligjet për shpronësim, tha se ka ndryshime të vogla në pjesën e dëmshpërblimit të pronës apo objekteve të cilat do të gjinden në rrugën ndërtimore të autostradave.

“Në thelb rregullohet materia për të drejtat e qytetarëve, të drejtat kushtetuese, posaçërisht në pjesën që ka të bëjë me qiranë, përderisa bëhet shpronësimi, atëherë kur i merret prona dikujt.”, - theksoi ministri i financave, Fatmir Besimi.

Shumica parlamentare, e cila mbështet ndryshimet, thonë se pronarët e objekteve, lëndë e shpronësimit do të dëmshpërbehen drejtë.

“Shpronësimi të bëhet sipas asaj që qëndron në vendimin tatimor. Ne si qytetarë, por edhe ju tatim të pronës paguani sipas vlerës së vërtetuar në vendim. Tatimi i pronës paguhet sipas vlerës së tregut, pra kjo përputhet me atë që shkruan në Kushtetutë.”, - u shpreh koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitreski.

Ndërkohë, edhe në komisionin për çështje evropiane me akuza të ndërsjella ka vazhduar debati për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për implementimin e projektit për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10-D.

Pakoja e ligjeve për korridoret 8 dhe 10-D pritet që të miratohen përfundimisht të premten në seancë plenare, pasi të kalojnë shqyrtimin në komisionin për çështje evropiane. (Fitim Kryeziu, TVM2)