Komuna e Tetovës, masa të reja kundër ndotjes së ambientit
Me qëllim që problemi i ndotjes enorme të ajrit mos të paraqitet përsëri në të ardhmen në qytetin e Tetovës, Komuna e Tetovës ka zmadhuar numrin e inspektorëve ekologjik të cilët kanë dënuar disa kompani të cilat kanë ndezur materiale ndërtimore, goma, mbeturina dhe materiale nga druri...

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, sot në një takim që zhvilloi me gazetarët, theksoi se Inspektorati Komunal ka realizuar kontrolle të vazhdueshme të kapaciteteve industriale të ndërmarrjeve të mesme të cilat operojnë me leje B, ose elaborate ekologjike, të cilat jepen dhe kontrollohen drejtpërdrejtë nga Komuna e Tetovës.
“Gjatë kontrollove në të shumtën e rasteve është konstatuar se kapacitetet prodhuese disponojnë me lejet dhe dokumentacionin e nevojshëm, kurse në rastet ku është konstatuar e kundërta, subjektet janë obliguar që në afatin ligjor, i cili është 8 ditë, të furnizohen me lejet përkatëse, dhe nëse këtë nuk e bëjnë, të njëjtit do të dënohen me gjoba. Në dy pikat kyçe për hyrje-dalje në qytet, gjegjësisht qarku rrethor tek “Vero” dhe qarku rrethor i bulevardit të “Ilindenit”, Inspektorati Lokal i Komunës dhe Njësia Policore “Tetovë” realizojnë kontrolle të vazhdueshme për sigurimin e regjimit të veçantë të komunikacionit, me ç’rast automjetet e rënda transportuese, destinacioni përfundimtar i të cilëve nuk është qyteti i Tetovës, drejtohen të lëvizin në rrugët qarkore, derisa të vetëdijesohen që rrugët qarkore janë të vetmet të cilat ata mund të shfrytëzojnë për transport të mallrave të tyre”- deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, po ashtu tha se në pajtim me Ligjin për Pastërti Publike, nga ana e inspektorëve komunal është rritur numri i mbikëqyrjeve inspektuese nëpër kantieret ndërtimore.
Me qëllim të mbrojtjes së ambientit, Komuna e Tetovës sot e promovoi linjën telefonike: 0800 55 043, e cila është pa pagesë dhe ueb aplikacionin: E-report Tetova, në të cilët qytetarët në çdo kohë mund t’i paraqesin sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizikë dhe juridikë, të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor dhe rrezikojnë shëndetin e tyre dhe shëndetin e bashkëqytetarëve. (Miftar Emini, TVM2)
