Plenumi Studentor, takimi i mbrëmshëm rezultoi me sinjale pozitive

20.02.2015 16:09

Takimi i mbrëmshëm në rektorat mes ministrit të Arsimit, Abdylaqim Ademi, përfaqësuesve të Plenumit të Profesorëve dhe Studentëve rezultoi me sinjale pozitive për bashkëpunim të mëtejshëm, thonë nga Plenumi Studentor...

Ata kanë vendosur që okupimi i fakulteteve të vazhdojë përderisa nuk marrin garanci nga qeveria për tërheqjen e Ligjit për Arsim Sipëror.

“Takimi nuk ishte i karakterit vendimprurës. Ne kërkuam të hartohet  tekst i ri për Ligjin për Arsim Sipëror. Argumentet u parashtruan nga ne dhe takimi përfundoi me marrëveshje për takim të ardhshëm. Më duhet të potencoj se asgjë nuk u vendos. Të katër palët negociuese duhet të konsultohen me bazën e tyre, që në takimin e ardhshëm të vihet me konkluzione”- deklaroi Ivana Tufekgjiç nga Plenumi Studentor.

Studentët janë decid në kërkesat e tyre për tërheqjen e ligjit, sepse, sipas tyre, përgjegjësinë për cilësinë e arsimit e ka Këshilli për Akreditim dhe Evaluim.

“Kërkesa jonë është që për ligjin e ri të mos realizohet testim i jashtëm nga ana e shtetit për studentët, sepse fillimisht duhet t’i shfrytëzojmë mekanizmat ekzistues, siç është Këshilli për Akreditim, i cili nuk ka kryer detyrën e tij siç duhet dhe për ketë morëm konfirmim edhe nga ministri, d.m.th. kur do të fillojë këshilli të punojë dhe të bëjë evaluim për atë se çka saktësisht do të përmirësohet në cilësinë e arsimit, deri atëherë nuk mund të flasim për testim të jashtëm, sepse bëhet fjalë për funksionim të keq të këtij institucioni”- tha Ivana Tufekgjiç nga Plenumi Studentor.

Sipas studentëve, po ndjehet atmosferë pozitive për bashkëpunim. Ata do të jenë pjesë e grupit punues dhe në 30 ditët e ardhshme do të analizojnë se çfarë nevojitet për zhvillimin e një arsimimi cilësor. (Flutura Latifi, TVM2)